Artim Pollozhani u ndëshkua ndaj Kukësit, duke plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Skënderbeun në Vlorë. Pollozhani rikthehet për takimin në transfertë me Lushnjen, ndërkohë që për korçarët do të jetë gati Sidibe, i cili mungoi kundër kampionëve. Ndaj Kukësit vlonjatët u ndëshkuan disa herë dhe duke parë se ndëshkimet me kartonë janë kthyer tashmë një shqetësim, prej ditës së mërkurë lojtarëve do t’u kërkohet të bëjnë kujdes me ndërhyrjet në fushë.
Veliu – Një fazë jashtë fushës së blertë për mbrojtësin vlonjat Franc Veliu dhe duhet ende kohë për ta parë sërish në një ndeshje zyrtare. Mbrojtësi ka nisur rikuperimin, duke punuar tashmë edhe në palestër, por sikurse thotë edhe vetë Veliu, duhet akoma kohë për të qenë gati në fushën e blertë. “Aktualisht kam nisur përgatitjet, duke punuar në palestër. Nuk mund të them ende kohën e rikthimit në fushën e lojës. Për një futbollist është gjithmonë vështirë ta shohë ndeshjen nga tribuna dhe shpresoj që të jem gati sa më shpejt, por mbi të gjitha dëmtimi të kalojë”, tha vlonjati për gazetën.