Pollozhani: Frikë askënd, armik kemi vetëm euforinë

0

Mesfushori me eksperiencë ka analizuar ecurinë e deritanishme të Flamurtarit, ndërkohë që thekson se vlonjatët kanë një ekip të fortë këtë vit

Elton Nika

Fitorja në Lushnje i ka dhënë vendin e dytë Flamurtarit, një pozicion që tashmë kërkohet të mbahet, por duke parë vetëm ndeshjen e radhës. Futbollisti Artim Pollozhani, i aktivizuar si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë, beson se kjo skuadër ka gjithmonë mundësi për t’u rritur, ndërkohë që thekson se Flamurtari nuk ka frikë asnjë skuadër, por duhet të mendojë dhe përgatisë njësoj të gjitha takimet, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë. “Nuk kemi frikë asnjë ekip, por duhet të jemi të përqendruar, pasi çdo ekip mund të shkaktojë probleme. Nuk kemi ndonjë objektiv, por gjithmonë na është thënë që të jepet maksimumi. Objektivi kryesor është ndeshja e radhës. Jemi mundur vetëm nga Skënderbeu në ndeshjen e parë të kampionatit, por edhe për atë sfidë na ka përgëzuar edhe administratori Idrizi për lojën e zhvilluar. Jemi me këmbë në tokë, nuk duhet që mbas dy fitoreve të themi do dalim kampion, apo me dy humbje të mendohet se del nga kategoria. Duhet të japim maksimumin deri në fund”, thotë Pollozhani, që më tej flet për shumë çështje të tjera, duke analizuar ndeshjet e fundit, atë të radhës me Teutës, ecurinë e deritanishme, objektivat dhe “sekretet” e kuqezinjve.

NDESHJA ME SKËNDERBEUN
“Ishte një ndeshje që ne e përgatitëm maksimalisht dhe unë mendoj se krijuam një ndeshje mjaft të mirë. Nuk jam dakord me faktin që thuhet se ekipi nuk mund të durojë 90 minuta, duke parë golin e pësuar në fund. I referohem ndeshjes me Kukësin, kur kishim një volum të madh loje dhe madje kemi shënuar në fund, apo edhe ndaj Lushnjes.  Kemi patur edhe raste kur ekipi është tërhequr për të kundërsulmuar. Nuk është se në golin me Skënderbeun ne na mungonte kondicioni fizik, por ishte një moment shpërqendrimi. Ne bëmë edhe disa kundërsulme, që po të shënonim golin e dytë përfundonte ndeshja. Dëmtimi i Sidibes krijoi një gropë në mesfushë. Skënderbeu nuk hyri asnjë rast në pjesën e parë. Dy rastet që krijoi Skënderbeu ishin në pjesën e dytë, ndërsa mbrojtësi Vangjeli krijoi vetëm një rast në fund, që u bë goli nga Muzaka. Për shkak të përqendrimit ne u ndëshkuam në pjesën e dytë. Të ishim pak më të qetë ne do të bënim edhe golin e dytë dhe të tretë. Por kjo është pjesë e lojës dhe në fund pranuam barazimin me Skënderbeun”.

FITORJA E FUNDIT

“Me Lushnjen kemi luajtur mirë dhe kemi shënuar në fund, duke patur edhe pak fat. Por lojën e drejtuam ne dhe po të shënonim në fillim gjërat do të ishin ndryshe. Na krijoi pak problem dalja e Bushiç, por me supergolin e Liçajt ne e morëm atë që donim. Do të studiojmë ndeshjen dhe do të analizojmë me qetësi ku kemi gabuar. Ishte një ndeshje e vështirë. Lushnja nuk është aq ekip naiv sa duket në tabelë. Para dy javësh fituan me Teutën dhe do t’u shkaktojnë probleme edhe ekipeve të tjera. Ishte padyshim një ndeshje që e kishim vlerësuar dhe na vjen mirë që në fund morëm fitoren”.

ECURIA
Mendoj se deri tani Flamurtari ka bërë mirë në kampionat. Vetëm me Luftëtarin nuk kemi qenë ai ekip që ne duam të shikojmë. Po të shikosh, kemi fituar me Kamzën, kemi luajtur më pas me Kukësin dhe Skënderbeun. Në këto ndeshje nëse na jepej penalltia me Kukësin, ose me Skënderbeun, apo goli i rregullt sërish me Skënderbeun, imagjinoni ku do të ishim. Por tashmë duhet të mendojmë vetëm kundërshtarin e radhës”

SFIDA ME DURRSAKËT

“Luajmë përballë Teutës, një skuadër që vjen pas dy fitoresh radhazi dhe mbetet një kundërshtar shumë i vështirë. Na vjen keq që do luajmë pa tifozë, por duhet të japim një shtysë më shumë nga vetja të fitojmë edhe për tifozët. Do japim maksimumin në fushën e lojës për të marrë padyshim vetëm fitoren, pasi ajo ka rëndësi”.

FORCA E FLAMURTARIT
“Kemi një ekip serioz dhe që është kompakt. Rrallë gjen ekip kompakt që t’i ketë të gjitha repartet solide. Kemi pësuar tetë gola, por pesë me penallti dhe nuk kemi marrë asnjë të tillë. Ky Flamurtar është një skuadër e mirë. Për shkak të moshës dhe eksperiencës flas me lojtarët, duke kërkuar që të japim maksimumin, sepse pavarësisht si del takimi, e rëndësishme mbetet që ne lojtarët të japim maksimumin në fushë. Kjo tregon edhe një frymë grupi mjaft të mirë që kemi brenda skuadrës dhe padyshim na ka ndihmuar deri më tani”.

OBJEKTIVAT

“Aktualisht shikojmë kundërshtarin e radhës, të mendojmë takimin e të shtunës, jo objektiva të tjerë. Presidenti dhe klubi nuk na kanë vënë në presion, çka ndikon për mirë tek skuadra. Nuk na kanë vënë objektiv dhe kjo mendoj se po jep frytet e veta, padyshim duke vlerësuar maksimalisht punën e trajnerit Shpëtim Duro, që ka ditur të krijojë një grup nga e para dhe mjaft cilësor”, deklaroi mesfushori i Flamurtarit, Artim Pollozhani.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.