Me një vendim qesharak dhe absurd, Policia e Shtetit Shqiptar ka ndalur futjen e çdo mjeti që përdoret nga tifozët për të festuar dhe dhuruar spektakël në tribuna.
Kështu, tani e tutje nuk lejohen as flakadanët, edhe pse në gjithë botën sektori i tifozerisë ultras lejohet t’i përdorë, natyrisht për sa kohë nuk i përdor për të vendosur në rrezik tifozët e tjerë, apo sportistët e forcat e rendit.
Këtu te ne funksionon ndryshe: Policia jonë ka kohë që nuk lejon në mënyrë absolute as futjen e shisheve të ujit, as gotave me ujë, as çelësave, as monedhave dhe tani asnjë lloj lënde piroteknike.
Për gjithë shkelësit do të ketë gjoba, nga 10 deri në 50 mijë lek, por edhe ndalim të hyrjes në stadiume.
Tani, këtu lind pyetja: Nëse në stadiumet tona njerëzit futen pa qenë nevoja për të paraqitur dokument identifikimi, si do të ndalohet hyrja e personave të dënuar në stadium? Humor me policë!
Ndërkohë, FSHF bën sehir dhe nuk ndërhyn, të paktën për t’i shpjeguar shtetit nja dy gjëra thelbësore, duke nisur nga fakti që njerëzit, edhe nëse janë bagëti, duhet të pinë ujë gjatë ndeshjes, por gjithashtu në stadium shkohet edhe për të festuar pak, edhe për të sharë nga pak. Nëse ndalohet uji, ndalohen flakadanët, ndalohen sharjet… mos e quani stadium!
Skena të tilla tani e tutje t’i harrojmë:
Policia e Shtetit
Në zbatim të Ligjit “Për Sportet”, Policia e Shtetit nis aplikimin e gjobave dhe përjashtimet nga stadiumet, për tifozët që kryejnë shkelje.
Pranë çdo Komisariati do të ngrihet një Komision për Shqyrtimin e Kundërvajtjeve Administrative, ku zhvillohen veprimtari sportive.
Në krye të këtij Komisioni emërohet Shefi i Komisariatit.
Shkeljet e konstatuara gjatë një evenimenti sportiv, si: mbajtja dhe përdorimi në objektet e mjediset sportive të flakadanëve, fishekzjarrëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve, përdorimi e tregtimi i pijeve alkoolike, si dhe cenimi i përfaqësuesve të Federatave, arbitrave të ndeshjes, vëzhguesve etj, dërgohen në Komisionin e Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative, i cili miraton masat.
Në rast shkeljesh sanksionet parashikojnë gjobë nga 10-50 mijë lekë, ndalim të pjesëmarrjes deri në 1 vit në mjediset sportive, në rast diskriminimi për shkaqe të ndryshme si edhe ndalim të hyrjes në mjediset sportive deri në 2 vjet, në rast se konstatohen sendet e palejuara në objektet dhe mjediset sportive.
Për çdo ankesë, kundërvajtësi mund t’i drejtohet Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, që drejtohet nga Nën/Drejtori i Policisë Vendore.
Pasi vendimi merr formë të prerë, masa administrative gjobë, bëhet titull ekzekutiv dhe duhet të paguhet nga kundërvajtësi menjëherë.
Për të pasur një evidencë të plotë për gjithë shkelësit në stadiume, Policia e Shtetit do të ndërtojë një regjistër elektronik me emrat e tyre. Kjo listë u dërgohet edhe FSHF dhe klubeve të futbollit, në rastet kur do t’u ndalohet hyrja në stadiume.