“Po ushqehet me mbeturina”! Armando Broja zhytet në mendime në stol, trajneri i Burnley i habiti të gjithë me ndërrimin

Armando Broja po kalonte një moment shumë të mirë në Premier League. Pavarësisht se ekipi i tij po vazhdonte me rezultatet negative radhazi, Broja po kalonte një moment të mirë individual teksa filloi që të merrte më shumë minuta në këmbë dhe realizoi një gol në ndeshjen kundër Burnmeuth, në atë barazim 1-1.

Broja arriti të shënonte ndaj portierit të Serbisë, Petrovic, duke shpëtuar trajnerin Scott Parker nga shkarkimi. Më pas trajneri e shpërbleu me tre ndeshje radhazi si titullar. Në ndeshjen e fundit kundër Neëcastle, Broja shkëlqeu me një performancë fantastike duke u përzgjedhur edhe në formacionin e javës së Premier League, pavarësisht se nuk arriti dot që të shënonte.

Ndërkohë sot Broja ka nisur nga minuta e parë në humbjen ndaj Brighton në shifrat 2-0, por nuk qëndroi për shumë gjatë. Trajneri Scott Parker zgjodhi ta hiqte shqiptarin në minutën e 64, duke futur në fushë Tchaouna. Shumë kritika erdhën për Parker në rrjetet sociale për këtë vendim pasi Broja ishte i vetmi sulmues që Burnley kishte në dispozicon. Flemming është dëmtuar dhe Foster ka shkuar në Kupën e Afrikës, ndërsa Tchouna nuk është një sulmues pykë.

Pra trajneri Parker bëri një zgjedhje tjetër dhe eksperimentoi duke mos i pëlqyer rendimenti i Brojës në fushë, për të hequr shqiptarin. Zhgënjimi u pa qartë në sytë e Brojës, përtej pafuqisë së tij për të ndryshuar rezultatin. Ai shkoi dhe u ul në stol ndërsa u pa qartë i zhytur në mendime për gjithë situatën që po kalohet. Ndërkohë në rrjetet sociale ka diskutime dhe tifozët mendojnë se Armando Broja po ushqehet me mbeturina, pra se ekipi i dobët i Burnley nuk arrin dot ta furnizojë mjaftueshëm me pasime për të arritur të shënojë dhe të jetë më efikas përpara zone. Ndërkohë pas kësaj humbje, pritet që trajneri Scott Parker të shkarkohet dhe një trajner i ri të jetë te Burnley pasi këta të fundit janë me një këmbë të rrëzuar në Championship.

Aktualisht Burnley ndodhet në vendin e parafundit me 12 pikë, ndërsa vendi që të siguron qëndrimin në Premier League, atje ku ndodhet Notingham Forest, janë 18 pikë. Pra diferenca qëndron ende mes 6 pikëve, megjithëse Burnley ka 11 ndeshje që nuk njeh fitoren. Statistika që tregojnë qartazi se shkarkimi i Parker është shumë afër, pasi edhe kalendari nuk duket shumë premtues. Pas 4 ditësh Burnley do të luajë në shtëpi kundër Manceshter United, ndërsa ndeshja e radhës do të jetë kundër Liverpul. /Sport Ekspres/