Ardit Hoxhaj është kthyer në njeriun gol të Vllaznisë për këtë sezon. Futbollisti vlonjat kryeson listën e golashënuesëve në kampionat, ndërsa këtë ndeshje ndaj Kukësit do e ndjekë nga stoli për shkak të kartonit të kuq të marrë në takimin e fundit. Në tryezën e Vllaznisë ka pasur një ofertë zyrtare nga Turqia për të dhe konfirmimin e jep vetë lojtari për “Gol pas goli“ në “Supersport“.
Hoxhaj zbulon se oferta në drejtim të tij ishte mjaft e mirë nga ana financiare, por me kërkesën e sponsorit Xhaferi dhe me dëshirën e tij vendosi të qendrojë në Shkodër. Futbollisti 26-vjecar premton besnikëri për kuqeblutë, të cilët nuk dëshiron t’i braktinë në mes të sezonit, aq më tepër kur në lojë ka nisur të vihet edhe titulli kampion.
“Po, është e vërtetë. Kam pasur një ofertë zyrtare nga Boluspori. Ka qenë një ofertë shumë e mirë financiare për anën time personale. Por kam menduar që këtë projekt me Vllazninë ta dërgoj deri në fund. Kam marrë edhe mirëkuptimin e presindentit për këtë pjesë. Ai më ka kërkuar vetë që unë të rri deri në fund te Vllaznia. Dihet që sporti është biznes. Por nëse do të ishte vetëm biznes pa anën njerëzore unë tani do kisha ikur. I kisha mundësitë të largohesha nga Vllaznia me klauzolën që kisha në kontratë. Mund të kisha ikur që tani nga Vllaznia.
Kam rinovuar një kontratë të re me një klauzolë më të lartë se kjo tani. Por presidenti Xhaferi më ka dhënë premtimin që me cfarëdo oferte unë do të largohem në verë. Thjesht dëshira e tij ka qenë ta cojmë deri në fund këtë projekt dhe nuk doja të lija ekipin në baltë. Natyrisht që tani te Vllaznia po e projektojnë edhe titullin kampion. Duke parë rezultatet e arritura, lojërat e bukura që kemi zhvilluar, kemi një distancë me ekipet e tjera dhe do e tentojmë titullin kampion deri në fund. Është dicka madhore për qytetin e Shkodrës. Nuk doja të largohesha në këtë lloj mënyre. Për momentin kam një ecuri të mirë dhe pse jo të vijë një ofertë më e mirë“, ka deklaruar Ardit Hoxhaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/