Nga Klaudio Ndreca
Me ardhjen e Klaus Gjasulës në Kombëtare, mesfusha e Shqipërisë ka fituar më shumë qetësi dhe mund të thuhet se është gjetur një zëvendësues për Burim Kukelin. Megjithëse mosha nuk flet në favorin e Gjasulës dhe së ardhmes, por kjo zgjidhje i jep frymëmarrje Rejës.
Vetë karriera e këtij mesfushori ka qenë me ngjitje të shkallëve në mënyrë graduale, ndërsa për këtë arsye ka vonuar edhe mbërritja te Shqipëria. Me arritjen e tij në Bundesligë me Paderbornin, nuk mund të mungonte edhe ftesa e kuqezinjëve. Në emisionin “Ora Sport”, Gjasula ka treguar se këtu ka ndikuar jo pak edhe ajo ndeshje miqësore Paderborn-Lacio (2-4), ku është shfaqur Igli Tare dhe ka bërë punën e tij për ta afruar te Shqipëria.
“Po të mos kisha pasur një ndeshje mes Lacio-Paderborn, nuk e di nëse do të isha në Kombëtare. Atje më pa Igli Tare dhe më pyeti sesi shkonte gjëndja e Shqipërisë për mua. E njihte trajnerin Reja dhe ka qenë Tare që e ka nisur disi rrugën për mua”, u shpreh Gjasula. /Sport Ekspres/