Dushan Vlahoviç ka rënë pre e koreve fyese të tifozëve të Atalantës. Gjithçka nisi pas një përplasjeje të tij me Maehlen. Sulmuesi serb kërkon nga arbitri të ndëshkojë kundërshtarin me karton të verdhë, i cili del më pas nga xhepi i Dovierit. Kaq ka mjaftuar që Vlahoviçi të gëzohet para fytyrës së Maehles, çka nuk i ka shpëtuar syrit të “Curva Nord”.
Tifozët e Atalantës nisin menjëherë koret ndaj lojtarit të Juventusit. “Je cigan, je cigan”, janë fjalët që u dëgjuan nga tribunat. Loja u ndal për 30 sekonda dhe zëdhënësi i stadiumit i kujton tifozëve humbjen e ndeshjes në tavolinë. Situata qetësohet dhe loja rinis. Në minutat e fundit të ndeshjes, Dushan Vlahoviç tundi rrjetën dhe Kieza e fton të festojë poshtë “Curva Nord“. Serbi vendos dorën pranë veshit dhe provokon tifozët, të cilët kanë nisur përsëri koret e tyre fyese. Me atë çfarë u kuptua nga lëvizja e buzëve, Vlahoviç ka thënë: “Po, jam unë, jam unë“. Arbitri më pas ka reaguar, duke e ndëshkuar sulmuesin me karton të verdhë për nxitjen e tifozerisë kundërshtare. E njëjta gjë që ndodhi edhe me Lukakun në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/