Milani pësoi një humbje turpëruese ndaj Lacios, e cila e mposhti me shifrat e thella 4-0. Një tjetër disfatë që i lagon kuqezinjtë gjithnjë e më tepër nga gara për titullin. Stefano Pioli është paraqitur përpara mikrofonit të “DAZN”-it për të komentuar këtë humbje, por qartësisht dallohet pakënaqësia e tij. Trajneri i Milanit është shprehur se ka vendosur t’i përgjigjet pyetjeve vetëm sepse është i detyruar ta bëjë, pasi në të kundër do ta kishte mbyllur gojën dhe do të fokusohej te puna për ndeshjen e radhës.
“Si e shpjegoj këtë nokaut? Kjo mund të shpjegohet duke u kthyer shpejt në Milanelo për të punuar mirë, ne nuk po japim paraqitje sipas mundësive tona. Ka shumë gjëra që nuk funksionojnë: mendore, taktike… Unë jam këtu për të folur sepse duhet, sepse përndryshe do të duhet ta qepim gojën dhe sigurisht të punojmë më mirë. Duhet të rifillojmë të luajmë siç dimë. Ky është qëllimi ynë i parë dhe duhet ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Le të rifillojmë rrugëtimin dhe rrugën tonë, do të përpiqem të flas më pak dhe të punoj më shumë”, ka deklaruar Stefano Pioli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/