Tirana ka marrë një tjetër humbje dhe këtë herë dhemb më shumë pasi vjen në derbin me Partizanin. Bardheblutë ndodhen në vendin e fundit, teksa Dabulla, i ftuar në “Mega Sport” që transmetohet në “A2 CNN” ka thënë edhe fjalën e fundit, për të, Tirana ka rënë zyrtarisht nga Superiorja.
“Para disa muajsh kam thënë në studion tënde që Tirana është për mbijetesë. Pastaj kur fillojë edhe ky sezon, e thashë po të njëjtën gjë, që jemi për mbijetesë. Tani jemi më keq, kemi dalë. Për mua nuk ka asnjë lloj shprese, Tirana ka rënë në Kategorinë e Parë, nuk kemi kujt t’i marrim vendin. Më vjen inat që më doli fjala edhe këtë herë, tani ka mbetur vetëm ana formale, ne kemi dalë. Me atë paraqitje që kam parë sot dhe në kohët e fundit, nuk ka shpëtim, as në merkaton e janarit.
Unë po flas edhe si miku i Refik Halilit, t’i them të keqen që të kuptojë gabimin, që të ndryshojë ai. Duhet që të vendos njerëzit e duhur në një punë të caktuar, të bëj rolin e presidentit dhe kaq, asnjë punë tjetër. Presidenti merret me gjëra të mëdha, jo me gjëra të vogla që i humbin kohë dhe humbasin prestigjin. Tiranës i ka humbur prestigji, nuk pranon më futbollist shqiptar që të vijë te Tirana tani, thotë nuk punojë dot, pavarësisht rrogës që i jep.
Unë flas nga marazi, por edhe se më vjen keq. Halili është më i vjetri në Superiore, mund të ketë harxhuar më shumë para se të gjithë, ka 3 tituj kampion dhe mund të ketë harxhuar 20 milionë euro nga paratë e tij. Dhe mua më vjen keq, them me vete si nuk i vjen keq për paratë e tij? I ka harxhuar me zgjedhjet e gabuara”, tha Dabulla. /Sport Ekspres/