Po e quajnë si autostradë për Partizanin, por gabojnë! Ja arsyeja e “simbiozës” mes Kastriotit dhe Tiranës që frikëson Kolelën

Tirana po vazhdon që të kryesojë kampionatin në Shqipëri, nga ana tjetër përgëzime meriton edhe Partizani. Pavarësisht distancës dhe dëshpërimit për faktin se bardheblutë nuk po gabojnë në ndeshjet e tyre, të kuqtë po arrijnë sërish që të fitojnë duke e lënë titullin që të diskutohet në javët e fundit.

Partizani ka edhe dy ndeshje të mbetura, teksa do të luajë kundër Kastriotit dhe Teutës. Në media po komentohet gjerësisht se të kuqtë do ta kenë autostradë ndaj Kastriotit, por në fakt nuk është kështu. Krutanët ndodhen në vendin e fundit me dy pikë më pak se Bylisi i vendit të parafundit dhe katër pikë më pak se Erzeni, që ndodhet në vendin e Play Out.

Krutanët nuk janë aq të pashpresë sa mendohet në shikimin e parë të tabelës së klasifikimit, kur kemi edhe dy ndeshje nga fundi. Nëse Kastrioti arrin të fitojë kundër Partizanit dhe Tirana fiton me Bylisin, atëherë kemi një marrëdhënie simbioze që jep shumë për ekipet respektive. Nga njëri krahë Kastrioti do ta kurorëzonte Tiranën para kohe, ndërsa nga krahu tjetër, Tirana do t’i jepte mundësinë për të parakaluar Bylisin.

Ndërkohë Erzeni do të udhëtojë në transfertë me Kukësin, teksa verilindorët janë të dënuar për të fituar që të mos rrezikojnë shumë me “turpërimin”. Për më tepër vetë krenaria e Kastriotit nga e kaluara dhe sadopak nënvlerësim që mund të ketë nga Partizanit, janë vetëm disa nga treguesit që do e kthejnë këtë takim më interesant nga çfarë është menduar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *