Elvis Plori ka marrë një mision të vështirë përsipër, shpëtimin e Kastriotit. Tekniku shkodran mori drejtimin e klubit krutan pas largimit të Samuel Nikajt dhe ka nisur që herët përgatitjet me skuadrën e tij. Numri një i stolit e di se skuadra e tij nuk e ka cilësinë e klubeve elitare të Superiore, por po mundohet ta kompensojë me punë të fortë. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, tekniku tregon momentin që po kalon skuadra e tij.
Si është gjendja e ekipit para fillimit të kampionatit?
Gjendja e ekipit nuk është aty ku duhet, por është shumë e rëndësishme se kemi filluar shpejt përgatitjet. Po punohet me një dëshire maksimale nga të gjithë, stafi dhe lojtarët.
A jeni i kënaqur nga afrimet që keni bërë këtë merkato?
Nga përforcimet që kemi bërë deri tani mund të them se jam i kënaqur. Janë afruar futbollistët e duhur për mënyrën se si do të luajë skuadra dhe për cilistë që kanë. Jam pak i rezervuar nga përgatitja fizike e futbollistëve.
Çfarë ju bindi të merrnit Kastriotin?
Isha shumë i bindur për të marrë drejtimin e Kastriotit, sepse ambientin e njoh shumë mirë. Personat rreth klubit më respektojnë. Një pjesë e sportistëve bazë të skuadrës janë lojtarë që kam punuar rreth 2 vite me ta dhe e quaj një sfidë të karrierës time si trajner këtë eksperiencë me krutanët.
I druheni faktit se mund të mos luani në stadiumin tuaj?
Fusha është e rëndësishme për një klub futbolli se në fund të fundit për ata tifozë e për atë qytet po e bëjmë gjithë këtë punë. Them se pas 4 javëve të para do të rikthehemi në stadiumin tonë.
Ku mendoni se duhet të ndërhyni sërish në merkato?
Unë me stafin tim e dimë shumë mirë se ku duhet të ndërhyjmë në merkato, i kemi piketuar futbollistët që duam, por i lëmë surprizë. Ju garantoj se pas një jave do të jemi akoma më të fortë.
U hodh kalendari i Superiores, një koment për shortin?
E nisim me Luftëtarin. Ekip i fortë, përballje e egër, por për ne të gjitha ndeshjet do të jenë të tilla. Kalendari është i njëjtë për të gjithë. Shpresojmë ta nisim mbarë.