Akuza të rënda për portierin e Real Madrid, Keilor Navas. Ai së bashku me dy lojtarë të tjerë të kombëtares së Kosta Rikës akuzohen për humbje me qëllim të ndeshjeve. Shkaku? Ish-trajneri Horge Luis Pinto nuk durohej më dhe duhej larguar.
Siç citohet nga “AS” dhe “L’Equipe”, gjatë transmetimit dy orësh në radio Monumental, Adrian Gutierrez, ish-anëtar i Federatës së Futbollit të Kosta Rikës, ka deklaruar se Keilor Navas, Çelso Borges dhe Brajan Ruiz kanë kërcënuar Federatën për të humbur me qëllim ndeshjet për shkak të trajnerit Pinto.
Gjithçka ka ndodhur pas përfundimit të Kupës së Botës 2014, ku Kosta Rika mahniti botën, duke arritur deri në çerekfinalet e kompeticionit. Akuza të rënda, që nëse konfirmohen, mund të sjellin pasoja të rënda për tre lojtarët.
Këta të fundit kanë reaguar nëpërmjet avokatëve të tyre, duke marrë masa ligjore kundër deklaratave të Gutierrez. Të rreme dhe të papranueshme i kanë cilësuar lojtarët deklaratat e ish-anëtarit të Federatës së Kosta Rikës, ndërsa ditët në vijim do të zbardhin të vërtetën e kësaj situate.