Gara është ndezur mes Vllaznisë dhe Bylisit në Superiore, ndërsa të dyja këto ekipe do të luftojnë për të mos rënë nga Kategoria Superiore. Kjo ka sjellë edhe tensionimin e situatës ndërsa ka pasur edhe akuza mes drejtuesëve të skuadrave në fjalë. I ftuar në “Ora Sport” ishte administratori i Vllaznisë, Suad Lici, që u shpreh se presidenti i Bylisit mund të përfundojë në gjykatë për disa ndeshje të dyshimta.
Pra duke lënë të kuptohet për ndikim në arbitrim. Nuk është vonuar përgjigja e ardhur nga ana e Besnik Kapllanaj, që në të njëjtin emision është shprehur se Lici nuk e di ku gjendet në këtë moment, duke marrrë parasysh problemet e shumta që ka në klub dhe se fajin duhet ta kërkojë diku tjetër dhe jo te Bylisi.
“Kjo është akuzë e rëndë nga Lici. Ai nuk e di ku është në këtë moment. Por nuk është e vërtetë. Bylisi shkon në Europë. Jam shumë i sigurt sepse kemi ekip të mirë. Do provojmë edhe nga kampionati edhe nga kupa. Bylisi ka vuajtur arbitrimin. Ne jemi ekipi më i persekutuar nga gjyqtarët. Lici bën gabim nëse flet kështu, nuk ja ka fajet Bylisi, ai të shikoj punën e vetë. Unë e kam mik Licin por kjo është e papranueshme”, tha Kapllanaj. /Sport Ekspres/