Një rikthim dhe një tjetër goditje në sulm. Ky është plani i Kamzës për të plotësuar skuadrën në repartin sulmues. Pas zyrtarizimit të sulmuesit Ognjen Roloviç, i afruar pas aktivizimit te Birkirkara në Maltë, klubi vazhdon manovrat në merkato për të vendosur në dispozicion të trajnerit Devolli një skuadër konkurruese.
Objektivi i radhës është rikthimi në skuadër i Masato Fukuit. Japonezi 29-vjeçar do të ribashkohet me Kamzën, aty ku sezonin e kaluar ishte një prej titullarëve të kontingjentit që siguroi mbijetesën në elitë.
Paraqitjet e mira të sezonit të kaluar dhe mbi të gjitha marrëdhëniet e shkëlqyera me drejtorin sportiv, Andi Matraxhiu, e kanë bindur “samurain” që të vazhdojë aventurën me ekipin. Së shpejti mesfushori ofensiv i krahut do të vendoset nën urdhërat e stafit teknik.
Ndërkohë, në pritje të mësohet se çfarë do të ndodhë me Sebino Plakun te Kukësi, Kamza po projekton afrimin e një tjetër sulmuesi të huaj, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për momentin. Në pritje të afrimeve, ekipi po vijon përgatitjet në periferi të kryeqytetit, me fazën përgatitore që pritet të spostohet në Ohër të Maqedonisë.