Sebino Plaku ka qenë i ftuar në emisionin “Kampionët” në “Vizion Plus”, ku ka folur në lidhje me situatën e vështirë në të cilët ndodhen ai dhe futbollistët e tjerë që ishin pjesë e ekipit të Kamzës.
Në emision sulmuesi tha se kishte pasur një bisedë me presidentin Armando Duka dhe shpreson që të gjendet një zgjidhje nga federata në lidhje me këtë situatë.
“Është një situatë shumë e dëshpëruar. Ne futbollistët u distancuam menjëherë nga aktet e dhunës. Jemi drejtuar presidentit të Federatës dhe ai na ka thënë se do të përpiqet të na ndihmojë. Nuk jam takuar, por më është përgjigjur me anë të një mesazhi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke më treguar dashamirësi”.
“Uroj që ta takoj dhe të na japë një zgjidhje, pasi bëhet fjalë për 25 familje. Nuk kemi mbështetje nga asnjë institucion, vetëm federata mund të na ndihmojë”.
“Nuk e kuptoj pse e prishim garën nëse na lejohet të luajmë në ekipet e tjera. Dënimi i Kamzës është diçka që ka ndodhur. Pse të mos kontribuojmë për ekipet që mund të na kërkojnë. Ky është rast unikal, nuk e di se si duhet të funksionojnë, por logjika të çon se lojtarët janë më të dëmtuarit, pse duhet të na digjen ne tre muaj futboll”.