Gjatë verës luajti me Kukësin në eliminatoret e Champions League dhe menjëherë pas aventurës europiane u kthye te Kamza, për të rimarrë shiritin e kapitenit. Sebino Plaku paralajmëron verilindorët përpara duelit në “Loro Boriçi”, megjithatë në intervistën e dhënë për “SuperSport” pranon avantazhin e rivalëve të javës së pestë në Kategorinë Superiore.
“Kemi respekt për këtë ekip, por do të mundohemi të shfrytëzojmë pikat e tyre të dobta. Kemi rrugë të ndryshme dhe është e vështirë të bësh krahasim ndërmjet dy skuadrave. Kjo ndeshje na vjen si një mundësi shumë e mirë, sepse Kukësi është riformatuar, megjithatë ata kanë avantazhin që janë më përpara në përgatitje dhe kondicion, pasi kanë luajtur në Europë”.
Sulmuesi vlerësoi impaktin pozitiv të trajnerit Klodian Duro, me Kamzën që gjeti fitoren e parë në kampionat ndaj Kastriotit, por theksoi se më tepër sesa të flitet në çdo ndeshje për fitore, kërkohet stabilitet në paraqitje dhe rezultate.
“Që të themi na u kthye vetëbesimi është shpejt. Ndryshimet e shpeshta në stol nuk janë të mira, por në këtë rast, trajneri i ri sjell ide të reja. Lojtarët japin maksimumin për të fituar vendin në formacion. Ardhja e Duros pati impakt pozitiv dhe jemi të kënaqur për situatën”.
“Nga ardhja e trajnerit tonë, këto ditë flitet vetëm për rezultate pozitive dhe kërkohet gjithmonë fitorja. Por kampionati ka nevojë për stabilitet dhe çdo rezultat, që nuk është humbje mund të cilësohet pozitiv”.
Në fund edhe një batutë për faktin si ndihet që do të luajë përballë ekipit, me të cilin luante vetëm pak javë më parë. Plaku tha: “Nuk e shioh si sfidë personale, edhe sepse kam ndryshuar shumë skuadra në kampionatin shqiptar dhe kështu i bie që çdo ndeshje t’a kisha duel me të kaluarën apo luftë kundër ish-skuadrave. Unë nuk e shoh në këtë mënyrë”.