Kukësi ka regjistruar fitore 3-2 ndaj Kastriotit, në miqësoren e fundit para debutimit në Champions League, kundër maltezëve të Valetës.
Në sfidën e luajtur pasditen e sotme në “Selman Stërmasi” Kukësi kishte zgjedhur si rival Kastriotin e sapongjitur në Superiore dhe nga ekipi i vjetshëm trajneri Peter Pakult kishte hedhur në fushë vetëm katër lojtarë.
Prova në mesfushë dhe sulm, me brazilianin Roxher të pozicionuar në të majtë, kurse Shpehar luante krah Plakut.
Takimi nisi me gol dhe ishte Sebino Plaku që vetëm e preku me kokë një kros të hedhur në zonë që në minutën dytë. Më aktiv Kukësi, por nuk është se ka raste të rrezikshme në portën e krutanëve. Kjo deri në minutën e 32-të, kur Plaku brenda zonës u tregua i saktë dhe takimi shkoi në 2-0.
Pakult vëzhgonte nga tribuna dhe zëvendësimet ishin të shumta në pjesën e dytë, por më parë, Aleksandër, greku me origjinë nga Sudani, shpesh herë problematik për mbrojtjen e verilindorëve, fitoi një penallti dhe në të 43-tën Kabiru u tregua i saktë nga pika e penalltisë.
2-1 fragmenti i parë dhe krutanët në pjesën e dytë ishin më kërkues. Duele të shumta, shpesh shoqëruar edhe me nervozizëm në fushë. Sërish ndërhyrje e gabuar në zonën e Kukësit dhe penallti. Ishte Koreshi ai që barazoi shifrat në 2-2.
Skuadra e Pakultit e kërkoi fitoren dhe ishte Plaku që në të 84′ shënoi edhe golin e tretë personal. Fitore për Kukësin, që tashmë duhet të bëjë një tjetër paraqitje me Valetën.
MIQËSORE
KUKËSI – KASTRIOTI 3-2
Kukësi: Frasheri, Uilliam, Qaqi, Shameti, Zguro, Dzaria, Shkodra, Shpehar, Plaku, Çyrbja, Roxher.
Kastrioti: Kuka, Husein, Çela, Lila, Stjepoviç, Çutra, Caca, Aleksandros, Poçek, Kabiru, Vatnikaj