Pjesë e Europës, por me menalitet provincial! Analiza e “Sport Ekspres” për arsyet që sollën dështimin e madh të ekipeve të Superiores

Nga Klaudio Ndreca

28 korriku i 2022 mund të quhet një mbrëmje e errët për futbollin në Shqipëri. Sikur të mos mjaftonin eliminimet radhazi të ekipeve shqiptare, për më tepër edhe oraret e tyre ishin “të vendosura keqazi”, duke na dhënë goditje të njëpasnjëshme, pa pasur mundësinë që të kishim sadopak frymëmarrje.

Craiova i shënonte Vllaznisë, ndërsa Petrokubi po përmbyste ndeshjen me Laçin. E teksa moldavët po thellonin rezultatin ndaj kurbinasve, nga krahu tjetër Tirana po pësonte gol me Zrinjskin. Kaq shumë situata të ndodhura në kaq pak kohë, ndërsa bota nis të shembet.

Atëherë, ku qëndron problemi dhe pse situata përfundoi kaq keq? Le ta nisim nga shorti, që aty e nisim mbrapsht. Nëse goglat na rezervojnë një ekip të fortë, skuadrat shqiptare e kanë të pamundur që të realizojnë surprizën, e humbin ndeshjen pa dalë në fushë. Në këto 10 vite të fundit është thuajse e pamundur të gjesh më tepër se dy raste kur ekipet shqiptare ia kanë dalë ndaj “përbindëshave” ekonomikë, për të befasuar.

Por nëse bëhet fjalë për një rival të lehtë, e shfrytëzojmë në maksimum ndjenjën e të qenit superior dhe vet kënaqemi aq shumë, sa në fund harrojmë që të shihemi në pasqyrë, duke u dukur shumë shëmtuar, tmerrësisht shumë. Fillimisht duhet të kuptojmë se bota punon, ndërsa ne veprojmë dhe reagojmë vetëm me anën emocionale, duke humbur trurin dhe logjikën.

Laçi ishte ekipi më i mirë në Shqipëri për Europën deri para dy orësh, ndërsa tani nuk janë të pakët ata që e quajnë të turpshëm. Shpëtim Duro ishte trajneri gjenial deri para dy orësh, ndërsa tani po krikohet kaq shumë. Tirana ishte kampionia e ndihmuar deri para pak ditësh sipas komentimeve, pasi u eliminua nga Dudelange dhe ekipet e tjera po korrnin disa rezultate më positive se bardheblutë, ndërsa tani ndodh komplet e kundërta dhe thuhet se i gjithë kampionati shqiptar është keq, nuk ishte problemi se kishim “kampione të gënjeshtërt”. Mbretër në një ditë dhe nëntokë në ditën tjetër, radikalë. Dy problemet më të mëdha që ka shfaqur futbolli shqiptar në Europë gjatë këtij edicioni janë aspekti psikologjik dhe ai fizik.

Kur flitet për aspektin psikologjik, askush nuk e merr seriozisht dhe gjithmonë anashkalohet si të jetë dytësore. Mjafton t’ju kujtojmë një trajner që i kushtoi aq shumë vëmendje kësaj pjese dhe rezultatet që korri, po flasim për Egbon. Tirana mund të fitonte edhe Champions League para se të vinte Egbo, por Partizanin nuk e mundte dot. I gjithë presioni dhe stresi i krijuar nga historia e humbjeve në duelet direkte, bënte që bardheblutë të mos fitonin kurrë ndaj Partizanit edhe nëse do të ishin në ditën e tyre më të mirë.

Egbo arriti të punonte në aspektin psikologjik dhe theu mallkimin, për të dalë denjësisht edhe në Europë. Aspekti psikologjik mund të jetë shpjegimi i vetëm për atë dërrmim dhe shpërfytyrim të Laçit pas golit të barazimit që pësoi nga Petrokub, teksa më pas nisi të numëronte golat. Aspekti psikologjik mund të shpjegojë humbjet e Tiranës që me Dudelangen e nisi me nënvlerësim të madh për kundërshtarin dhe vendoset në gjumë, pa pasur forcë reagimi. Më pas kur u kthye në Shqipëri vendosi që të bënte gjithçka rrëmujshëm në 20 minutat e para dhe të merrte me “dhunë” statusin e favoritit, duke harruar se në fund të fundit luante edhe kundërshtari, nuk ishte vetëm një ndeshje stërvitore brenda grupit. Dueli me Zrinjskin nuk kërkon shumë koment, ekipi ishte i dërrmuar, pa forcë, motiv dhe dëshirë. Praktikisht aventura europiane u mbyll që me Dudelange.

Historia e aspektit psikologjik u vu re aq shumë te Partizani në humbjen ndaj Saburtalos. Teqja priste një penallti dhe menjëherë pas tij, një lojtar i Partizanit do të humbiste të radhës. Lojtarët nuk arrinin dot të menaxhonin presionin në këmbët e tyre ku pas një pritje penalltie të parë nga ana e Teqjas, e cila ndodhi dy herë, kishin ndihmën e madhe për të fundosur kundërshtarin, u fundosën vetë. Një tjetër element i rëndësishëm për t’u përmendur si arsye e dytë është ana fizike. Në total ekipet shqiptare kanë luajtur 12 ndeshje në Europë. Nga këto, vetëm në dy prej tyre kemi triumfuar fizikisht kundër rivalëve. Të dy këto ndeshje i përkasin Laçit kundër Iskrës.

Dudelange dhe Zrinjski, secila prej tyre arriti ta dominonin Tiranën në të dy ndeshjet në aspektin fizik, Saburtalo arriti ta dominonte Partizanin në të dy ndeshjet në aspektin fizik, më e kuptueshme ajo e Craiovas ndaj Vllaznisë, ndërsa Petrokubi e dominoi Laçin në pjesën e dytë fizikisht. Këtu mund të heqim atë ndeshje të parë ku Spahiu u ndëshkua të kuq pas 27 minutash dhe më pas kurbinasit mbetën me 10 lojtarë, por në 9 ndeshjet e tjera jemi vendosur përtokë nga rivalë tërësisht të përballueshëm.

Pra intensiteti ynë gjatë ndeshjes lë shumë për të dëshiruar. Ndoshta si një shembull i mirë për të kuptuar sinjalet e asaj se çfarë do të ndodhte, i kemi marrë në javët e fundit të Superiores. Atëherë kur për disa javë radhazi, ekipet e pesë vendeve të fundit po arrinin që të fitonin gjithmonë me pesë vendet e para, duke dalë tërësisht jashtë sensit logjik. Ndoshta aty erdhi edhe alarmi i parë për të kuptuar se përfaqësimi në Europë nuk do të ishte i nivelit që të gjithë prisnim.

Dhe si përfundim, duhet të heqim për një moment idetë e tipit: “Turp, shiko se kush kaloi. Turp, një ekip i Bosnjes dhe i Moldavisë të kalojë më tej”. Conference League është një mundësi e mirë jo vetëm për të rritur imazhin në Europë, por edhe për të ardhurat e klubeve që janë të vogla në letër. Për këtë arsye motivimi i Petrokubit, i Zrinjskit apo i Saburtalos do të jetë po aq i madh për të fituar në mënyrë që të sigurojnë të ardhura që ndoshta nuk i kanë pasur kurrë në historinë e tyre, nuk do të ketë rrugë të shtruar me trëndafila. Fjalia përmbyllëse që të kujtohet në këtë moment për të shpjeguar situatën është ajo e Shpëtim Duros në ndeshjen e parë të Kukësit në stadiumin e ri: “Nuk fitohet me inaugurime dhe festa”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online