“Pikjada” e Avdijajt, Shalke mezi pret ta heqë qafe!

E mbani mend djaloshin e artë me klauzolë 49,9 milionë euro? E mbani mend djaloshin premtues dhe me talent që vendosi që një ditë të injoronte ftesën e Shqipërisë dhe të kujtohej kur ishte shumë vonë, teksa kuqezinjtë përgatiteshin për Europianin e tyre të parë historik në Francë?  Ai quhet Donis Avdijaj dhe sot “luan” te Shalke dhe përfaqëson kombëtaren e Kosovës, i mbetur si “peshku pa ujë” dhe pasi deri sa priti që Gjermania të lëvizte në drejtim të tij…

Një futbollist i mbetur në vend dhe i penguar nga karakteri, për të bërë përpara. Dhe, te Shalke e kuptuan mjaft shpejt, saqë e lanë jashtë skuadre. Trajneri Domeniko Tedesko e përjashtoi që në fillim të fazës përgatitore, duke parë që në fillim lojtari duhet të përmirësohej jashtë fushe dhe më pas brenda saj. Kontrata e Avdijaj skadon në 2019, teksa ai është bërë dhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës, duke luajtur në një ndeshje. Avdijaj u përjashtua nga skuadra për shkak se shkonte vonë në stërvitje gjatë përgatitjeve para sezonit të ri.

Por, menaxheri i klubit gjerman, Kristian Heidel mendon se situata e tij mund të ndryshojë. “Nëse e kuptoj saktë, ai ka ambicie për të ndryshuar. Në merkaton e janarit do të shohim nëse do të qëndrojë apo do të largohet”, është shprehur menaxheri. Edhe pse, siç duket, këto janë vetëm fraza të momentit, duke qenë se Avdijaj nuk konsiderohet aspak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *