Tek Milani duket se kanë nisur të besojnë vërtet se nuk do të jenë pjesë e Evropës në sezonin e ri. Verdikti i sfidës Milan-UEFA duket i shkruar: një humbje e sigurt për kuqezinjtë, por tani pritet se në çfarë shkalle do të jetë dëmi i shkaktuar. Edhe këtu ka nisur të nuhatet diçka aspak e mirë, që shqip do të thotë përjashtim i Milanit nga Liga e Evropës në sezonin e ri. Milani po përgatitet për mbrojtjen, të shpëtojë presidentin Jonghong Li dhe të fusë në mes klubin dhe financat e kuqezinjve. Kjo është taktika e zgjedhur nga kuqezinjtë për të gjetur në befasi UEFA-n. Sigurisht që bëhet fjalë për një taktikë të sforcuar, por ndoshta është e vetmja rrugë që i ka mbetur kuqezinjve për të shpresuar në një dënim më të butë nga UEFA. pavarësisht këtyre lëvizjeve të dëshpëruara të Milanit për të marrë ndonjë rezultat pozitiv, në kampin kuqezi duken të dorëzuar vërtet. Kjo pasi UEFA nuk ka dhënë ndonjë shenjë mëshire kundrejt shtatë herë kampionëve të Evropës. Të martën e kaluar organi më i lartë drejtues i futbollit në kontinent ka refuzuar plotësisht kërkesën e Milanit për aplikimin e “settlement agreement”. I vetmi lëshim i bërë nga UEFA ka qenë shtyrja e ditës së gjykimit për t’i dhënë një tjetër shans Milanit. fill pas këtij favori të vogël, Milani ka nisur të lëvizë çdo gur për të gjetur një rrugë për të shpresuar në një dënim më të reduktuar dhe mbi të gjithë të shpëtojë Evropën e fituar me aq mund në tri javët e fundit të sezonit. Ajo që e bën vulnerabël Milanin është pozita mjaft delikate e presidentit Jonghong Li. Megjithë kërkesat e vazhdueshme nga UEFA, Milani nuk ka ofruar shumë informacion rreth tij. Dhe po mundohet të kalojë çështjen në një injë tjetër: të hetohet klubi dhe financat e tij në kompleksitetin e tyre dhe jo presidenti Li.
Ndarja e përgjegjësive – Milani po provon çdo manovër, por kuqezinjve nuk i mbetet shumë kohë në dispozicion për të bindur UEFA-n rreth presidentit Li. Sipas Milanit, klubi kuqezi kërkon t’i vërtetojë UEFA-s, se ndryshe nga çfarë po ndodh me presidentin Li, bilancet e vetë klubit janë të pastra, të qarta, transparente dhe lehtësisht të adresueshme nga UEFA. Milani, nëpërmjet avokatëve të tij do të tentojë që i vetmi i hetuar nga UEFA duhet të jetë vetë klubi dhe jo i ndarë mes presidentit Li dhe klubit të Milanit. sipas Milanit, Dhoma e Arbitrazhit duhet të vlerësojë bilancet e klubit dhe jo ato të bosit Jonghong Li. Për të bindur UEFA-n, Milani do të përpiqet të citojë dhe precedentët e mëparshëm, duke nisur nga PSG-ja deri te Interi, ku UEFA ka hetuar vetëm llogarit e klubeve dhe jo të presidentëve. Por kjo lojë e Milanit mund të mos funksionojë, ndaj në Milano mbizotëron frika dhe pesimizmi.
Apeli – Por Milani po studion dhe rrugë të tjera, teza të tjera për të shpëtuar nga dënimi kapital. Në radhë të parë Milani pritet të dërgojë në UEFA fillimin e javës së ardhshme një dosje shumë voluminoze. Nëse kjo lëvizje nuk do ta shpëtojë, shpresa mbetet tek Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS/TAS).