Pesë blerjet më të dështuara të sezonit, kryesojnë klubet angleze

Kampionatet elitare në Europë po shkojnë drejt fundit. Milionat e shpenzuara në merkaton e verës tani mund të vihen në peshore për të parë se cilët lojtarë e kanë kaluar provën dhe cilët kanë dështuar.

“Blofet” më të mëdha të merkatos së këtij sezoni vijnë nga Anglia, pikërisht vendi ku ka më shumë para se në çdo vend tjetër.

Havier Pastore (Roma, 25 milionë euro)

Roma pagoi 25 milionë euro për të rikthyer në Itali, Havier Pastoren. Argjentinasi ka rezultuar një zhgënjim tepër i madh. Pastore i Palermos është zhdukur. 29-vjeçari është aktivizuar vetëm 450 minuta gjatë këtij sezoni të Serie A.

Zhan-Mikel Seri (Fulhem, 30 milionë euro)

Në verën e 2017-ës, mesfushori i Nicës Zhan-Mikel Seri ishte shumë pranë transferimit te Barcelona, por marrëveshja u prish më momentet e fundit. Një vit më vonë lojtari nga Bregu i Fildishtë u ble nga londinezët e Fulhem për 30 milionë euro. Përshtatja në kampionatin anglez nuk qenë aspak e lehtë dhe sezoni i tij dhe skuadrës në përgjithësi rezultoi një katastrofë e vërtetë.

Keita Balde (Inter, 36 milionë euro)

Keita Balde ka shënuar 4 gola me skuadrën e Interit gjatë këtij sezoni. Shumë lojtarë do të ishin të kënaqur me këtë kontribut, por senegalezi ishte blerja rekord e Interit në merkaton e verës që lamë pas me plot 36 milionë euro të shpenzuara për të. Konkurrenca e Mateo Politanos dhe Ivan Perishiç rezultoi tepër e fortë për 24-vjeçarin.

Fred (Mançester Junajtid, 60 milionë euro)

Blerja rekord e Mançester Junajtid gjatë verës së 2018-ës, ishte mesfushori brazilian Fred. Futbollisti vinte nga kampionati ukrainas, por kishte bindur Zhoze Murinjon me paraqitjet në Champions League. Muajt e parë te Junajtid rezultuan një katastrofë e vërtetë, pasi braziliani shikohej rrallë në stol e jo më  në fushë. Me ardhjen e Solskjaer situata është përmirësuar, por për një lojtar me kosto 60 milionë euro duhet shumë më shumë.

Mahrez (Mançester Siti, 70 milionë euro)

Pep Guardiola ishte i bindur se Rijad Mahrez do të ishte përforcimi ideal për skuadrën e tij, megjithatë në praktikë nuk rezultoi kështu. Algjeriani i kushtoi Sitit 70 milionë euro, por gjatë gjithë sezonit nuk ka qenë më shumë se një lojtar stoli, për shkak të konkurrencës nga lojtarë si Rahem Stërling dhe Bernardo Silva.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *