Përshëndetje, si jeni, për çfarë ishit duke folur për mua? “TAULI JOM!”

Nga Klaudio Ndreca

“Përshëndetje, si jeni, për çfarë ishit duke folur për mua?”! Të gjithë ata që e njohin mirë, Taulant Seferi prezantohet gjithmonë në këtë mënyrë: “TAULI JOM”! Është njeriu që i buçet zemra për ngjyrat kuqezi po aq sa edhe tifozëve më të flaktë të Kombëtares. Kur ishte pjesë e Shpresave, Taulanti hapi një parullë që i emocionoi të gjithë.

“Nëna më ka thënë: “O bir, emrin ta kam vendosur Taulant, mos u shit për Frank, Dollar, mos harro që je shqiptar”. Në atë kohë ishte kalibri tjetër i Shqipërisë U-21, por karriera nuk i mori ashtu siç të gjithë prisnim, derisa u kthye në vendin tonë, por këtë herë jo më për të veshur fanellën kuqezi, por atë bardheblu, me Tiranën.

E tani në Kombëtare, Taulant Seferi shënon 2 gola kundër Çekisë. NJË MREKULLI! Le të jemi të sinqertë për një moment, sot është e lehtë ta duartrokasim, e bëjnë të gjithë. Por në fillim duhet t’i kërkojmë falje, të gjithë. Në Shqipërinë e Silvinjos, emri i Taulant Seferit ishte më i pa preferuari.

Nuk ishte aspak ekzotik edhe për shkak të ekipit ku luan, karshi Myrto Uzunit të La Liga-s apo Ernest Muçit të Legias së Varshavës. E teksa të gjithë pyesnin se përse Silvinjo vazhdon që të luajë me Taulant Seferin para Muçit apo Uzunit, e vetmja përgjigja standarte dhe “e logjikshme” që vinte ishte: “Sepse ndihmon mbrojtjen”.

Të gjitha mediat sportive, përfshirë këtu edhe median tonë, Sport Ekspres, e kanë paragjykuar jo pak këtë njeri dhe sot i detyrohemi një kërkim falje. Taulant Seferi tregoi se nuk është vetëm ai lojtari që ndihmon në fazën mbrojtëse, Taulanti tregoi se mund të driblojë lirisht edhe rivalët e kalibrit të lartë si ata çekë dhe se mund të tundi rrjetën dy herë kundër tyre.

Sa shumë duhet vlerësuar edhe reagimi i këtij njeriu në përfundim të ndeshjes. “Edhe unë jam njeri i thjeshtë, si të gjithë ju. Edhe unë lexoj komentet që flisni për mua, e di që askush nuk ka besuar te mua”. Duke mos u treguar aspak fodull dhe pa asnjë lloj mendjemadhësie, edhe pas 2 golave kundër Çekisë ku kushdo tjetër mund ta kishte përdorur si kartë të fortë për t’iu kthyer keqazi të gjithë kritikëve, Taulant Seferi kërkoi pak…respekt!

E fitoi vet sepse respekti në jetë nuk dhurohet, fitohet, edhe “me dhunë” në disa raste. E fitoi vet pasi nëse nuk do të kishte shënuar ato gola, sigurisht që edhe ky shkrim nuk do të ishte bërë, fjalët e mira nuk do të ekzistonin për të dhe do të mbahej mend sërish si ai lojtari që Silvinjo e përdor në krahë të sulmit, për të bërë mbrojtësin e dytë të krahut afër Mitajt.

Jo, Taulant Seferi është shumë më tepër se kaq, por vetëm se ne arrijmë ta shohim në këtë moment, pas 2 golave të shënuara. Për fatin e mirë, Silvinjos nuk i shpëton asgjë dhe besoi deri në fund. Me krahët e hapura dhe qëndrimin para tifozëve të Shqipërisë, Taulant Seferi festoi mes krenarisë së madhe për veten e tij dhe për t’i treguar të gjithëve sesa vlen: “TAULI JOM”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *