Stivi Frashëri ka mbyllur një sezon mjaft pozitiv në Kategorinë Superiore, ku këtë sezon shijoi edhe trofeun e titullit kampion. Teuta ishte skaudra me numrin më të ulët të golave të pësuar dhe për këtë padyshim që një meritë të madhe ka edhe portieri 30-vjeçar. Por pavarësisht kësaj një ftesë nga Kombëtarja ka munguar në adresë të tij, megjithëse vetë Frashëri e priste një grumbullim me kuqezinjtë. Gardiani i Teutës ka dhënë një intervistë për televizonin “MCN“, ku ka folur më tepër rreth të ardhmes së tij, ftesës nga Kombëtarja si dhe zgjënjimin me mënyrën se si është trajtuar nga mediat.
E ardhmja
“Unë pres si çdo futbollist që të arrij në një nivel tjetër në një kampionat më të fortë dhe të arrij sa më lart të jetë e mundur në arenën ndërkombëtare, por nuk i dihet. Momentalisht jam i fokusuar te Teuta, sepse kemi përpara ndeshje të rëndësishme si Champions League. Më pas të shohim deri ku do arrijmë. Vëmendja dhe synimi im është të bëj mirë te Teuta, më pas të shohim ndoshta edhe mua më buzëqesh fati dhe ndërroj kampionat”.
Kombëtarja
“Ftesën të gjithë futbollistët e presin, sepse është stadi më i lartë që mund të arrijë një futbollist. Vlerësimi që bën “Transfermarkt“ janë më shumë statistika se si ka qenë ecuria e një futbollisti gjatë një viti futbollistik. Kanë qenë statistika shumë të mira. Por nuk është hera e parë. Edhe vjet kam pasur statistika shumë të mira, edhe te Kukësi kam pasur statistika shumë të mira. Kjo do të thotë që unë kam qenë konstant në punën time. Por nuk do të thotë që kjo është një tregues se unë kam arritur këtë dhe Kombëtarja duhet të më thërrasi, sepse atë e vendos trajneri. Në qoftë se trajneri vendos të marri çuna të rinj është gjëja më e mirë sepse rinovohen dhe futbolli ecën përpara. Por që e prisja një ftesë nga Kombëtarja, e prisja“.
Do largohesha për një ofertë nga jashtë?
“Një mijë herë të ma bënin këtë pyetje, një mijë herë do të thoja po. Kam goxha kohë në kampionatin shqiptar dhe mezi e pres një mundësi për të ikur jashtë. Kam ardhur nga jashtë, duke ditur që bazat e mia i kam marrë në një ekip si Arisi i Selanikut. E ëndërroj një largim timin diku, qoftë në Ballkan, Greqi, Itali apo nuk e di“.
Zhgënjimi me mediat
“Shpesh herë e kam shprehur që nuk jam vlerësuar siç duhet nga media. Ka ndodhur edhe disa ditë më parë. E kanë keqinterpretuar një pjesë të asaj fotoje që unë kam nxjerrë në profilin tim në “Instagram“. Është një vlerësim që duhet ta bëjë media. Ata e kanë nxjerrë sikur unë kërkoj me ngulm ftesën te Kombëtarja, nuk ka lidhje. Është shumë i rëndësishëm impakti që një media ka me një futbollist dhe se si menaxhohet kjo pjesë. Sepse nëse një futbollist e sulmon, siç ka ndodhur shpesh me mua, nuk do ndihet mirë dhe asnjëherë nuk ka dhënë maksimumin duke ditur që ai “ka pjesën e gabimit“ ose për pjesën që ka meritë për diçka por vlerësohet dikush tjetër.
Me mua ka ndodhur shpesh. Gjatë karrierës sime këtu, edhe te një pyetje që më është bërë pasi fituam titullin ka qenë pjesa që je djalë shumë i mirë, je futbollist i talentuar me të dhëna të shkëlqyera por gabon. Normalisht në një profesion do ketë edhe gabime. Por pse ekziston kjo ide? Përse Stivi vazhdon pyetet akoma pse nuk eci mirë te klubi i Tiranës? Asnjëherë media nuk i ka bërë pyetje vetes që nuk eci mirë pasi ishte një faktor. Nuk u ndje mirë, nuk u përshtat, nuk e donin, nuk i dhanë mundësinë ose i vunë fajin më tepër seç duhet. Tani Stivi ecën te Ballshi, te Flamurtari, përshtatet shumë mirë te Kukësi, përshtatet akoma më mirë te Teuta, ka shumë trofe, ka statistika të shkëlqyera, por te Tirana nuk u përshtat dhe është faji i Stivit. Përse nuk thonë që te Tirana kanë shkuar edhe shumë futbollistë të tjerë dhe nuk e kanë gjetur veten? Përse nuk thonë që ndoshta është gabimi i klubit ose ndoshta është edhe gabimi i medias në ndoshta në atë kohë Stivin e mbytën, i ranë shumë në qafë?
Kjo është një gjë që mua më habit, sepse nëse duan që ne ta promovojmë futbollin, që ne të ecim sa më shumë, media duhet të jetë shumë e drejtë. Nëse nuk po ecën aty ku duhet media duhet ta mbështesë, jo ti bjerë pas dhe të thotë që ka gabuar, gafa. Kjo pjesa gafa që thua shpesh nëpër media a thua se kemi bërë ndonjë aksident, a thua se kemi vrarë ndonjë njeri. Është gabim. Gabime bëjnë portierët më të mëdhenj, gabime bëjnë futbollsitët më të mëdhenj. Nga gabimet janë humbur Kupa Bote. Nuk ka thënë njeri gafa”. Këtë nuk e kuptoj. Kjo pjesë e medias më ka acaruar deri tani. Më është regjur lëkura. Jam mësuar me këtë që më bien në qafë. Sikur presin një gabim të timin dhe të thonë ‘gafa e Stivi Frashërit‘“, ka thënë Stivi Frashëri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/