Gjiganti spanjoll Real Madrid mund të jetë me fat që ka një lojtar të tillë si Modric. I rikthyer në vitin 2012 nga Tottenhami, edhe sot në moshën 39-vjeçare, duket i pazëvendësueshëm dhe si një forcë lëvizëse.
Me nëntë paraqitje në La Liga dhe dy në Ligën e Kampionëve, Modric është një nga lojtarët që trajneri i beson më shumë, edhe pse sezonin e kaluar ishte e diskutueshme nëse do të qëndronte në Madrid. Tashmë për më tepër po flitet se Modric do të vazhdojë kontratën deri në vitin 2026, në mënyrë që të luajë edhe në Botëror, me të cilin ndoshta do t’i jepte fund karrierës.
Kur Toni Kroos njoftoi fundin e karrierës së tij pas Euros, ishte e qartë se Ancelotti do të dëshironte sa më shpesh në fushë një mesfushor dhe lider me përvojë si kroati. Ndryshe nga Carlo, djali i tij Davide ka një vizion të ndryshëm. Ai i sugjeroi babait të tij që Arda Guler të gjejë veten në mesfushë këtë sezon dhe se është koha që turku të marrë rolin e lojtarit kyç.
Megjithatë, një trajner me përvojë si Carlo nuk dëshiron të marrë shumë rreziqe dhe i tha djalit të tij se është ende herët për të bërë një lëvizje të tillë. “Nuk mund ta vendosësh atë përballë Lukës tani. Ai nuk është ende për t’i besuar si titullar,” thuhet i tha Ancelotti djalit dhe ndihmësit të tij. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/