Nga shiu në breshër. Sikur të mos mjaftonte mosaktivizimi në Bundesligë, futbollisti kuqezi është dërguar të stërvitet me të rinjtë. Prapaskenat, gati largimi në verë?
Nga humbja dhe kritikat në “Elbasan Arena” pas humbjes ndaj Norvegjisë, por sidomos fjalët e Kristian Panuçit, trajnerit të Shqipërisë, që është shprehur se problemi madhor është që titullarët e kombëtares nuk aktivizohen në klubet e tyre, për Mërgim Mavrajn ka ardhur edhe një lajm i hidhur… Praktikisht, nga shiu në breshër për futbollistin e lindur në Hanau por me origjinë nga Istogu i Kosovës, sepse dje ka marrë lajmin e hidhur dhe të papritur.
Mërgim Mavraj është simboli i rënies së kombëtares sonë, sepse nga një pikë kyçe te Hamburgu është kthyer pak nga pak në rezervë dhe tashmë bë të padëshiruar.
Pas përfundimit të grumbullimit me Shqipërinë për miqësoren e humbur 0-1 me Norvegjinë në “Elbasan Arena, ku luajti titullar, 31-vjeçari mori një lajm të hidhur nga klubi i tij. Trajneri i ri Kristian Tic, i cili ka ndërmarrë misionin e pamundur të mbijetesës, ka urdhëruar që shqiptari të stërvitet me ekipin e dytë për një periudhë të pacaktuar. Drejtori sportiv, Bernhard Peter, shpjegon: “Stafi teknik ka vendosur ta largojë Mërgim Mavrajn nga ekipi i parë për motive sportive. Është kërkuar që të stërvitet me U-21 deri në një vendim të dytë”.
Sezoni më i dobët – Për Mavrajn, që gjatë gjithë karrierës së tij ka luajtur në Bundesligë, ky është sezoni më i keq. U duk sikur blerja e tij një vit më parë do të sillte hapin e madh për kuqeziun, por kështu nuk ka qenë. E teksa gjashtë muajt e sezonit të shkuar ishin një ferr i vërtetë, mes frikës së rënies nga kategoria, tmerri ka marrë formë këtë edicion. Ai është aktivizuar në 17 ndeshje të Bundesligës në Këtë sezon, me Hamburgun që renditet i fundit me 18 pikë, 7 më pak se vendi i 15-të që i shpëton rënies, kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje deri në fund të sezonit.
Situata është katastrofike për mbrojtësin kuqezi, që në janar mori ofertë joshëse nga kampionati turk, por nuk u largua, kryesisht se Hamburgu e shihte si lojtar me shumë rëndësi. Tani kaosi që ka përfshirë Hamburgun ka dëmtuar rëndë Mavrajn dhe për pasojë edhe kombëtaren tonë. Realisht, në këtë moment vetëm portierët Berisha e Strakosha, mbrojtësit Hysaj, Veseli e Gjimshiti, mesfushorët Xhaka, Qaka, Ramadani dhe Grezda e deri diku Cikalleshi luajnë rregullisht në ekipet përkatës. Disa prej tyre luajnë në ekipe modeste, ndaj nuk mund të jemi të qetë.
Befasia – i kontaktuar nga “Sport Ekspres”, mbrojtësi kuqezi nuk ka dashur të flasë shumë, duke qenë ende i befasuar nga vendimi i Hamburgut. “Sinqerisht që nuk e prisja. Kur ma komunikuan nuk besoja në atë që po thonin. Fakti është që kur pyeta motivin, nuk më dha askush përgjigje… Thjesht, kjo është zgjedhja e trajnerit, në bashkëpunim me klubin”, tha mbrojtësi.
Largimi – Me këtë vendim dhe ndoshta sidomos duke ditur se ky sezon mund të mbyllet me katastrofë, Mavraj ka kuptuar se është i padëshiruar dhe se, ndoshta rroga që fiton (thuajse 1,8 milionë euro në sezon), rëndojnë në arkat e Hamburgut teksa presidenti ka “mbyllur thesin”. Pikërisht në prag të një rënia nga kategoria, klubi pritet që të largojë shumë lojtarë. Mbrojtësi refuzoi Beshiktashin përpara një sezoni, teksa edhe në janar i tha “jo” disa ofertave, kështu që në verë do të rihapet ankandi për të, por për më pak se 2 mln euro Hamburgu nuk do ta lëshojë, sipas asaj që ka investuar.