Tashmë mungojnë vetëm detaje të vogla, si bonuset dhe mënyra e pagesës, por bisedimet për kalimin e portierit të Xhenoas matia Perin te Juventusi mund të quhen të mbyllura. Pritet ende një takim mes agjentit të lojtarit, Alesandro Luçi, dhe klubit bardhezi, për të vendosur firmat. Takimi i zhvilluar ditën e djeshme ka qenë vendimtar dhe tashmë janë kënaqur të gjitha palët, në pritje që të përcaktohen vetëm disa bonuse që kërkon Xhenoa.
SHIFRAT – Është praktikisht e mbyllur, portieri 25-vjeçar do të hedhë hapin gjigant në karrierën e tij, që nisi në mënyrë fenomenale disa vite më parë, por u ngadalësua nga një dëmtim i rëndë. Operacioni duhet të mbyllet për 15 milionë euro, duke përfshirë bonuset. Nuk dihet ende sa do të marrë Xhenoa në dorë dhe sa me bonus, por tashmë portieri është i Juves. Vendimtar ka qenë vullneti i futbollistit, i cili ka kërkuar me ngulm të shkojë te Juventusi, për të rivalizuar polakun Shçesni për një vend në formacion, sepse tani që nuk është më Xhixhi Bufon, të gjithë e kanë një shans.
FLET PERIN – I grumbulluar me kombëtaren italiane në Vinovo, shtëpia e Juventusit, Perin ka folur për transferimin që po afron: “A ndihem si në shtëpi? Në këtë moment mendon për Kombëtaren, pjesën tjetër e di agjenti im. Po mundohem të mos mendoj fare për merkaton, edhe pse në Vinovo është bukur, ka ajër suksesi. Tani ndihem gati për hapin e madh, kam bërë një rrugëtim që më ka lejuar të piqem si futbollist dhe si njeri, ndaj nuk kam frikë, sepse kam kaluar edhe dy dëmtime të rënda njëri pas tjetrit. Nuk kam probleme me konkurrencën, jam gati të matem me çdo portier. Bufon është një pikë referimi për të gjithë ne portierët, shpresoj të jem pasardhësi i tij në kombëtare, por janë edhe Donaruma e Sirigu, ose edhe vetë Bufon, nëse vendos të kthehet”.