Përfundon takimi mes FSHF-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ja çfarë u diskutua mes tyre

Takimi i parë mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe FSHF-së është mbyllur ditën e sotme. Në përfundim të tij sinjalet duket të jenë positive, teksa është vënë re një gatishmëri nga të dyja palët për të nisur sa më shpejt futbolli në Shqipëri. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare, Ilir Shulku, ka bërë me dije se Ministria kishte mbetur e kënaqur me protokollin e përgatitur nga shtëpia e futbollit në Shqipëri, ndërsa tregon se mbeten ende disa pika për t’u diskutuar.

Sa i përket pjesës së tamponëve thekson se nuk do të përdoren të tillë, por do të ketë kontrolle të vazhdueshme mjekësore për lojtarët dhe për stafet teknike të klubeve. Ndërkohë takimi nuk ka sjellë ende një datë të caktuar zyrtare për nisjen e kampionatit, pasi do të diskutohet sërish mbi këtë çështje. Megjthatë sipas asaj që deklaron Ilir Shulku dhe Edvin Libohohova, kreu i Ligës Profesioniste, gjasat janë të mira që data të vijë sa më shpejt.

Edvin Libohova: “Specialistët e Ministrisë dhe grupi teknik që vlerëson situatën ka parë materialet që ne kemi dërguar. Pati disa diskutime për të sqaruar edhe disa cështje të tjera dhe u arrit që me predispozicionin e grupit teknik sa më shpejt të jepet një përgjigje përfundimtare për sa i përket masave, protokollit dhe zbatimit të tij në mënyrë që të fillojë kampionati dhe loja e futbollit sa më shpejt. Datë konkrete nuk ka dhe grupi është i angazhuar të punojë edhe në fundjavë për këtë punë. Ne presim sa më shpejt dhe kur them sa më shpejt kjo mund të jetë punë orësh ose punë ditësh, sigurisht duke plotësuar kriteret e kërkuara, duke qenë Brenda të gjithë protokollit dhe atyre eksperiencave që ka grupi i teknikëve këtu, por edhe i eksperiencave të vendeve të tjera. Predispozicioni i Ministrisë dhe i grupit teknik ishin maksimal për të realizuar një kthim sa më të shpejt të lojës në fushë”.

Ilir Shulku: “Atëherë, nga grupi i ekspertëve ishin shumë të kënaqur me protokollin që kemi dërguar. E kanë parë me detaje. Kanë dy-tre pika të paqarta që i diskutuam tani dhe do të jenë po prapë pjesë e diskutimeve të mëvonshme, duke filluar që sot. E përgjithshmja ishte positive, predispozicioni ishte pozitiv, kështu që shpresojmë shumë shpejt do të kemi një përgjigje se kur do të fillojmë. Pothuajse të gjitha klubet i plotësojnë kriteret. Pika e parë që kemi diskutuar ishte rikthimi në stërvitje, që pothuajse të gjitha klubet i plotësojnë të gjitha kriteret në protokollin sanitar që keni parë janë ezauruar të gjitha pikat. Duke nisur që nga si do të shkojë në stadium, si do futen në dhomat e zhveshjes e kështu me radhë, të gjitha këto pika janë të ezauruara dhe quhen positive. Testimi me tampon? U diskutua dhe kjo pikë dhe u ra dakort që nuk do të ketë tampone por do të ketë kontrolle. Stërvitja në 18 maj? Kjo ishte një nga pikat që diskutuam dhe besoj shumë shpejt do të kemi një përgjigje edhe për këtë pikë”. /Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *