“Erdha, pashë… ika”. Kështu mund të përmblidhet aventura e këtij sezoni në Europa League për Partizanin, që është larguar pa e nisur mirë sezonin. Edhe sot erdhi një humbje, e merituar, në Burgas, kundër Botevit.
Ishin të shtatët në kampionat, në teori aty-aty, ose inferiorë ndaj nesh. Kështu ishte ndërtuar sfida e turit të parë nga Partizani, që në fakt e gatoi shumë keq këtë sezon të ri.
Shumë largime, pak afrime, “gropa” të mëdha në skuadër, paqartësi për të ardhmen e trajnerit Starova, merkato e bllokuar nga premtimet e Lucciano Moxhit, që nuk po realizohen. Për pasojë, Botevi i thyen të kuqtë lehtësisht, 3-1 në Tiranë e 1-0 sot.
Nuk është se pati ndonjëherë shpresa për përmbysje Partizani, që ishte gjithmonë inferior, duke parë një Botev të organizuar dhe një Nedelev të jashtëzakonshëm. Ndoshta është Botevi i frikshëm, por ndoshta është Partizani “përtokë”. Tani sërish pushime, ka kohë deri sa të nisë kampionati. A ka kohë Starova? Zor. Po Moxhi? Ka premtuar shumë, të shohim!
E enjte, 6 korrik 2017, ora 19:00, stadiumi “Lazur”, Bullgari
Botev Plovdiv – Partizani 1-0
Shënues: Brisola 22′
Botev: Çoroviç, Panov, Genev, Brisola (Alvaro 78′), Nedelev, Tasev (Stojanov 64′), Omnibes (Jusein 87′), Baltanov, Kosoko, Minev, Dimov. Tr. Nikola Kirov.
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Krasniqi, Atanda, Kotobelli, Fejzullahi, Batha (Mazrekaj 65′), Vila, Progni, Trashi (Kalari 75’), Fili (Sukaj 80′). Tr. Sulejman Starova.
Gjyqtarë: Alper Ullusoi, Mustafa Ejisoi, Serkan Olguncan (Turqi)
I katërt: Jasar Kemal Ugurlu
Kartonë të verdhë: Vila 23′, Batha 29′, Progni 59′, Kalari 87′
Goli
22′ – Kapiteni Baltanov fut një kros nga krahu i djathtë që gjen mjaft mirë brazilianin Brisola. Mesfushori gjendet i lirë brenda zonës dhe godet saktësisht me kokë duke e pushuar topin në rrjetë. Mbrojtja e Partizanit “fut ujë”. 1-0.
Episodet
5′ – Nedelev provon një goditje nga distanca, e njëjtë me golin e shënuar në Tiranë, fatmirësisht jashtë kuadratit.
12′ – Fili kroson drejt zonës nga krahu i majtë, por nuk e arrin askush.
20′ – Nedelev godet nga një goditje dënimi, në harkun e 16 metrave. Sfera kalon murin mbrojtës dhe mposht kapitenin Hoxha, por ndalet në traversë.
32′ – Brisola gjuan nga një goditje dënimi, por qendrore për “gardianin” shqiptar.
38′– Trashi kroson nga një goditje dënimi në krahun e majtë, topi gjen Prognin që e gjuan shumë lehtë me kokë. Pa rrezikshmëri për portierin bullgar.
40′ – Nervozizëm ndërmjet Kosokos dhe Prognit që shtyhen me kokë, qetëson gjithçka arbitri Ullusoi.
45‘ – Mbyllet pjesa e parë, Botev – Partizani 1-0.
46′ – 50′ – Kalojnë në qetësi minutat e para të pjesës së dytë.
55′ – Hoxha shpëton Partizanin nga pësimi i golit të dytë. Brisola i vidhet mjaft mirë mbrojtjes, por tregohet i vëmendshëm kapiteni duke i larguar topin nga këmbët.
67′ – Brisola provon nga distanca duke shfrytëzuar një top të larguar keq nga Atanda.
79′ – Rasti më i mirë për Partizanin. Fejzullahi merr përsipër një aksion personal, në momentin e fundit pengohet nga mbrojtësit, por topi i del mjaft mirë Mazrekajt. Kosovari ka të gjithë mundësinë për të shënuar, por gjuan keq dhe pret mjaft mirë portieri Çorovioç duke e devijuar në korne.
85′ – Sukaj gjuan me të majtën diagonal me portën, por nuk gjen kuadratin.
90+2′ – Hoxha ndal mjaft mirë Kosokon që i vetëm përballë tij nuk e dërgon në rrjetë.
Përfundon ndeshja, Botevi fiton me rezultatin 1-0.