“Përfiton Tirana se nuk e kam ndjekur unë”, Safet Gjici: Nuk e medoja që një trajner portierësh të kishte këto rezultate

Kukësi vazhdon të besojë te titulli kampion, megjithëse Tirana po i shkon shumë afër. Gjithsesi në kampin verilindor nuk dorëzohen. Këtë gjë e bën të qartë edhe vetë Presidenti i Nderit, Safet Gjici, i cili në një intervistë për “Supersport” thotë se do të luftojnë deri sa matematika t’i lejojë. Gjithashtu vlerëson kundërshtarët, por nuk nguron të shprehi habinë se një “trajner portierësh” do të arrinte rezutate të tilla me bardheblutë.

Gjici është ndalur së tepërmi në punimet e stadiumit të ri, për të cilin shprehet besimplotë se do të jetë gati brenda datës 15 shtator dhe do i japë një tjetër impakt ekipit. Në analizën e rezultateve jo fort të mira të arritura nga verilindorët presidenti i klubit e sheh thelbësore mungesën e një një stadiumi për t’i luajtur ndeshjet në shtëpi si gjithë ekipet e tjera.

“Në fakt punimet kanë ecur mirë, me ritme të shpejta. Besoj që nga htatori të kemi përfundimin e punimeve. Natyrisht ne kemi shpresën që në shtator të rikthehet Kukësi të luajë në fushën e vetë. Ka përfituar. Ambientet ndihmëse do të kërkojnë një kohë më të gjatë, siç janë fusha e stërvitjes apo edhe ambiente të tjera si parkimi që do të bëhet jashtë. Por e rëndësishme është që si stadium në shtator e mbyllim dhe ekipi i Kukësit mund të luajë lehtësisht në Kukës.

Asnjëherë s’keni besuar, por ja që ne gjithmonë kemi realizuar atë që kemi thënë. Atë që themi e bëjmë ne. Do ta kishim përfunduar edhe më parë, por situata e pandemisë bëri ato vonesat e veta. Sot punohet në shumë fronte, qoftë në ambientet e brenshme, qoftë edhe në ato të jashtme. Janë gati 60-70 punëtorë që punojnë çdo ditë. Kam bindje që firma do arritë ta mbyllë stadiumin brenda 10-15 shtatorit. Ne po bëjmë punë edhe me cilësi, edhe me shpejtësi. Për hir të së vërtetës këto punime nuk janë bërë prej 30 vitesh në Kukës. Është me dy kontrata, e para shkon diku te 6 miliardë lekë të vjetra, ndërsa e dyta është diku te 2-3 miliardë lekë. Kështu që stadiumi kur të përfundojë tërësisht do të shkojë diku te 10 milionë euro. Është një investim i përbashkët i Federatës dhe qeverisë. Gjej rastin t’i falenderoj të dy institucionet që edhe Kukësi të ketë një stadium me parametra të standartit të UEFA-s dhe FIFA-s.

Këtë sezon nuk e kam ndjekur ekipin si herët e tjera, sepse unë kam një detyrëtjetër tashmë shumë të rëndësishme, që është funksioni i Kryetarit të Bashkisë. Kam 1001 probleme dhe punë të tjera.

Kështu që ka përfituar Tirana se nuk e kam ndjekur aq shumë për shkak të angazhimeve të mia. Unë kam thënë që jam President Nderi tashmë te Kukësi dhe Kryetar Bashkie i Kukësit. Normalisht që me ato aksione që ka bashkia e ndjekim ekipin, por kjo nuk do të thotë që e kemi lënë pas dore. Ka pasur disa luhatje sa i përket rezultateve, por besoj që Kukësi është aty siç ka qenë çdo vit. I dorëzuar për titullin kampion? Unë nuk dorëzohem kurrë. Edhe pse 9 pikë larg. Ja fitoj unë tani me Ballshin, humb Tirana me Korçën dhe 3 pikë mbetet diferenca pastaj se direkt e rrafim ne Tiranën. Nuk kemi pse të dorëzohemi, por gjithsesi 9 pikë janë shumë, por edhe nuk janë shumë. Kjo varet nga rezultatet në fushë të ekipit të Kukësit.

Do të thoja që Kukësi ka gabuar shumë, pa hequr meritat e Tiranës, pasi t’i lëmë mënjanë shakatë ka një ekip shumë të mirë. Nuk e mendoja kurrë që një trajner portierësh do të kishte ato rezultate, sepse Tirana nuk i kishte këto rezultate në fillim. Ndoshta edhe fati ka ndikuar. Shehi e mori vonë ekipin e Kukësit. Ndoshta po ta kishte marrë më para mund të kishte edhe këto rezultate që ka Egbo. Por edhe stadiumi ka ndikuar shumë, sepse po të kishim stadiumin tonë pa dyshim që sot ndoshta ne do të ishim 9 pikë para Tiranës. Me rëndësi është që do të kemi stadiumin tonë, ku do i luajmë të gjitha ndeshjet, edhe ato në Champions. Kjo është më me interes se sa rezultatet e ekiit sot.

Pagat? Ju e dini shumë mirë që ekipi i Kukësit nuk ka pasur probleme. Por ndonjë lojtar atje i Kukësit mund të ketë biseduar me gazetarët. Unë nuk e di rastin, klubi merret me çështjet e pagesave. Por nuk është problemi te pagesat e klubit të Kukësit se sa është problemi i rezultateve. Disa nga lojtarët atje, ngaqë nuk justifikojnë dot kontratën, pasi kanë kontrata të mira me Kukësin, dhe nuk kanë rezultate, pastaj kalojnë në kërkesa të tilla, që janë të çuditshme sepse nuk ka pasur probleme Kukësi me pagat.

Po e them edhe njëherë po të kishte këtë stadium që kemi sot, Kukësi do e kishte mbyllur çështjen e kampionatit. Të luash të gjitha ndeshjet jashtë, normalisht edhe falë gafave që ka bërë edhe ekipi dhe lojtarët, trajnerët e ndryshëm që kanë qenë aty, jemi këtu ku jemi. Besoj që sezoni tjetër do të jetë një ekip që patjetër do pretendoj për kampion dhe besoj se do e realizojë. Por kjo nuk do të thotë që jemi dorëzuar, sepse do të luftojmë deri në fund, deri sa të na e lejojë matematika titullin kampion. Besoj që me një infrastrukturë të tillë Kukësi do të ketë komplet një rezultat tjetër, komplet një lojë tjetër, komplet një trajtim tjetër, komplet një organizim tjetër dhe do të marrë rezultate. Në fakt Kukësi në letër është, por rezultatet nuk i përshtaten atij ekipi që është sot.

Nga informacionet që kam nga klubi ata kanë piketuar disa lojtarë të mirë. Besoj do arrijnë të bëjnë ç’është e mundur për të ndërtuar ekipin që të përfaqësohet denjësisht në Kupat e Europës dhe pse jo të arrijmë sa më lart në Kupat e Europës. Unë do jam çdo gjë si Bashki dhe do e mbështes për të marrë rezultatet maksimale”, ka deklaruar Safet Gjici./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online