Karriera e Rei Manajt ka marrë gjithmonë dhe me meritë emërtimin “e çuditshme”. Sulmuesi shqiptar ishte i lindur me këmishë dhe e gjeti veten në moshë fare të vogël dhe në nisje të karrierës te Interi. Për më tepër që ka qenë edhe pjesë e ekipit të parë në kohën e Mancinit.
Më pas nisi rënia e këtij lojtari mes huazimeve të shumta në Serinë B dhe Spanjë, atje ku nuk po arrinte që të linte gjurmë. E mes heshtjes së madhe do të mbërrinte ajo lëvizje e papritur drejt Barcelonës. Aktualisht Manaj është rikthyer në “gjumin letargjik” teksa te Spezia nuk e ka shënuar ende golin e parë dhe për më tepër po qëndron në stol.
Por sipas mediave italiane, trajneri Thiago Mota ka menduar një surprizë të bukur. Në ditën e sotme Spezia do të përballet ndaj Interit. Jo vetëm trajneri do të ketë përballë të shkuarën e tij, por edhe Rei Manaj. Sulmuesi shqiptar pritet që ta nis si titullar dhe padyshim që një gol i realizuar ndaj Interit mund të ishte pika e kthesës për të që të shpëtonte sadopak këtë lëvizje që deri tani ka rezultuar e dështuar. /Sport Ekspres/