Vllaznia ka marrë sot tre pikët e radhës në “Abissnet Superiore”. Kuqeblutë kanë mposhtur Teutën me rezultatin 1-2 në javën e 5 të kampionatit elitar shqiptar. Esat Mala dërgoi Vllazninë në epërsi në minutën e 19, ndërsa në të 57-n Teuta ktheu sërish shifrat në baraspeshë.
Ndërkohë kur lojtarët po prisnin vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit, Balaj e dërgoi topin në rrjetë. “Bekimi” i Vllaznisë shënoi golin e fitores në minutën e 95, duke i mbajtur shkodranët në vendin e parë të renditjes, me pikë të barabarta me Egnatian. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “RTSH”-së.
Brdariç (Vllaznia): “Është më mirë për zemrën time që të fitojmë si në pjesën e parë. Ndeshjen tjetër do të përpiqemi ta fitojmë në kohën e rregullt dhe jo në shtesa. E kemi merituar ta fitonim. Kemi për të mësuar. Është një proces dhe gjatë procesit ka gabime”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/