Për të qarë dhe qeshur!/ “Ata na bënë padrejtësi”, presidenti i Lionit godet shtetin: 24 vite që nuk ndodhte…

Nga Klaudio Ndreca

Kur pandemia ishte në kulmin e saj dhe kishte mbërthyer Europën, një problem që po mendohej ishte sesi do t’i jepej zgjidhja edhe futbollit. Franca ishte shteti i parë që guxoi dhe nuk mendoi dy herë për ta mbyllur kampionatin në tavolinë dhe në mënyrë të mënjëhershme, ku pavarësisht “kërcënimeve” të UEFA-s, nuk ndërroi asgjë në vendim.

E nga ana tjetër, kur në Itali po luhej java e tretë pas pandemisë, në Francë nisën të zhvilloheshin miqësore duke lejuar tifozë brenda saj, ashtu siç nuk kishte vepruar edhe vendet që vazhduan futbollin, pa sportdashës. Pra një vendim drastik që erdhi për të mos rrezikuar më tepër, po atëherë çfarë llogjike kishte që të lejoheshin tifozët në të njëjtën situatë të rrezikshme?

Kjo është pikëpyetja që shtrohet, ndërsa shumë ekipe në Francë kanë ende zemërimin e tyre me shtetin, që jo vetëm ishte i prerë, por zyrtarë të tij po ndikonin edhe në shtete të tjera që të mbyllin gjithçka në tavolinë. Qesharake është situata që shteti francez do të krenohet me Lionin që shkon në gjysmëfinalen e “Champions League”, por ishin këta persona që me vendimin e dhënë, e kanë lënë jashtë Europës për sezonin tjetër. Lioni u rendit në vendin e shtatë, vetëm 1 pike larg Nice dhe Renes, me vendin që të dërgonte në “Europa League”, kur mbeteshin edhe 10 ndeshje për t’u luajtur. Për këtë arsye, presidenti i Lionit, Jean Michel-Aulas e ka komentuar kështu kualifikimin ndaj Manchester City:

“Kjo ishte e mrekullueshme, kemi një grup lojtarësh që kanë kapërcyer edhe veten e tyre. Kjo garë erdhi në kohën e duhur, ndërsa na mungonte vetëm ana psikologjike. Është e shkëlqyeshme sesi kemi eliminuar dy ekipe të nivelit të lartë, pastaj Manchester City është një fuqi e madhe. Është arritje dhe jehonë e gjithçkaje kemi kaluar në javët e fundit, muajit e fundit. Kemi përshtypjen që lojtarë tanë reaguan ndaj asaj padrejtësie që na gozhdoi në vendin e shtatë të “Ligue 1”. Nuk do të shkojmë në Europë pas 24 vitesh”, u shpreh Aulas. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *