“Për ne mbijetesa është si Scudetto”, drejtori sportiv i Empolit i vendosur për të ardhmen e Bajramit: Një “po” e prerë

Empoli ka qenë një surprizë në gjysmën e parë të sezonit. Pavarësisht se u ngjit këtë vit në Serie A, të kaltrit kanë arritur të mbërthejnë vendin e 9 në renditje. Megjithatë kjo ecuri që i ka tejkaluar pritshmëritë e klubit nuk e bën këtë të fundit të preket nga entuziasmi i tepruar.

Në një intervistë për “CalcioNapoli 24 TV”, drejtori sportiv i ekipit është shprehur se rëndësi ka vetëm mbijetesa dhe se “grackat” i presin në gjysmën e dytë të kampionatit. Accardi ka folur gjithashtu për merkaton e janarit, ku ka qenë i prerë sa i përket të ardhmes së xhevahirëve të skuadrës. Italiani ka thënë se Bajrami do të mbetet të paktën deri në qershor në Empoli, teksa këta të fundit nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë prej tij.

“Kjo pjesë e parë ishte shumë e rëndësishme për ne dhe askush nuk e priste kështu. Ajo që ne bëjmë tani e tutje ka shumë rëndësi dhe jo ajo që është bërë deri më tani. Ëndërroni diçka më shumë se mbijetesa? Absolutisht jo. Për ne ajo që ka rëndësi është mbijetesa, e cila për ne llogaritet si Scudetto. I kemi këmbët fort në tokë, duhet të qëndrojmë në rrugën e duhur sepse grackat janë afër. Viti, Parisi, Bajrami dhe Luperto do të qëndrojnë në Empoli deri në qershor? Po. Përgjigje e thatë”, është shprehur Piero Accardi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *