Klubet shqiptare, mungesë totale serioziteti dhe planifikimi. I kërkojnë FSHF-së që kampionati të nisë në shtator dhe kërkesa miratohet
Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së u mblodh ditën e djeshme dhe ka diskutuar çështje të rëndësishme në lidhje me sezonin e ardhshëm, por edhe më tej. Në qendër të vëmendjes ishte edhe starti i Kategorisë Superiore, që pritej me interes, pas kërkesës së Kukësit për shtyrje të startit. Në fakt, klubet që paskan kërkuar shtyrjen janë plot 7 dhe shumica ka fituar: Komiteti ka vendosur që Kategoria Superiore të nisë më 9 shtator. Një gjë e tillë ndodhi edhe vjet, kur në 10 ditë u luajtën 3 javë kampionat.
KËRKESA – Para pak ditësh Kukësi dorëzoi në FSHF kërkesën për një shtyrje të datës së planifikuar për fillimin e Superiores, duke qenë se mendohej fundi i gushtit si start. U mendua se ishte vetëm Kukësi, por dje presidenti Armand Duka zbuloi që ishin 7 klube të Superiores që e kërkuan shtyrjen. Siç është thënë shpesh, në raste të tilla Komiteti Ekzekutiv ka tendencën të pranojë kërkesën, edhe pse jo gjithnjë ndodh kështu. Ndërkaq, Superkupa do të luhet vetëm 3 ditë para fillimit të kampionatit, çka do të thotë se deri më 6 shtator do të shohim vetëm miqësore verore, sepse ka shumë pak gjasa që ndonjë klub shqiptar të kapë fazën play-off në kupat e Europës, apo të shkojë më tej.
KRAHASIMI – Duke qenë sezoni para Kupës së Botës, në teori kampionatet duhej të nisnin më herët. Jo se ne do shkojmë në Botëror, tashmë e dimë që nuk kemi shanse. Edhe nëse shkojmë, nuk është se kombëtarja mbahet nga Alban Hoxha dhe Orges Shehi, të jemi realistë. Megjithatë, të gjitha kampionatet evropiane nisin goxha më herët se zakonisht, në vitin para Botërorit apo Europianit. Do thoni ju: ç’lidhje kemi ne me vendet e tjera, ata mendojnë për kombëtaren. E drejtë, por nuk është se Mali i Zi do të shkojë në Botëror, ndërsa kampionati aty do të nisë më 5 gusht. Po asht, Bosnje-Hercegovina e nis kampionatin më 27 korrik! Para dy vitesh, në sezonin para Europianit, në Shqipëri sezoni niste më 12 gusht, me Superkupën mes Skënderbeut e Laçit, ndërsa kampionati më 21 gusht.
ABSURDI – Kukësi do të luajë në korrik, ndoshta do të vazhdojë edhe më tej, sepse realisht ka shanse ta kalojë Sherifin. Po ashtu, Skënderbeu shpreson të kapë të paktën turin e tretë kualifikues në Europa League. Duke qenë se këto dy klube e kanë nisur sezonin në mesin e qershorit, mund të duket logjike nevoja për pak pushim para fillimit të kampionatit, por nga ana tjetër Partizani, për shembull, do të nisë pushimet që të enjten, sepse me siguri do të eliminohet nga Botevi, ndërsa më pas do të rinisë fazën përgatitore nga gushti. Po klubet e tjera? Menaxhim skandaloz, në kufijtë e qesharakes. Teuta i largoi thuajse të gjithë lojtarët në maj dhe mbajti vetëm pak prej tyre, ndërsa këto ditë ka filluar merkaton, ndaj nëse nuk llogariten të rinjtë e klubit, zor se Maganit i bëhen më shumë se 9-10 lojtarë në stërvitje. Flamurtari bëri të njëjtën gjë, largoi 80% të skuadrës në maj, por trajneri Shpëtim Duro e ka rindërtuar skuadrën dhe i mungojnë vetëm pak elemente. Gjithsesi, i duhen nja dy muaj që skuadra të arrijë nivelin e duhur dhe lojtarët të ndërtojnë një skuadër. Do të duhet ta bëjnë vetëm me miqësore deri në shtator. Po Vllaznia? Aty-aty, janë larguar shumë lojtarë, kanë mbetur besnikët shkodranë dhe afrime në horizont nuk ka. Për fat, FSHF u bëri nder, imagjinoni sikur sezoni të niste si në Mal të Zi, në fillim të gushtit.