Pepa garanton për një Lushnjë dinjitoze në elitë

Sulmuesi 26-vjeçar kthehet te skuadra mëmë pas 5 sezonesh dhe ka një mesazh për tifozët: Rrini të qetë, nuk do t’ju zhgënjejmë!

Arjan Likja

Iku nga Lushnja 5 sezone më parë për të luajtur me Teutën, Flamurtarin, Bylisin dhe Vllazninë. Por erdhi momenti i ribashkimit dhe tashmë sulmuesi Brunild Pepa është nën urdhrat e trajnerit Artan Bano. Në dispozicion të këtij të fundit ishin dje të gjithë futbollistët, që kanë firmosur kontratat me klubin myzeqar për sezonin e ri. Të mërkurën në mbrëmje Lushnja do të luajë një miqësore luksi në Itali, në stadiumin e Leçes, me ekipin vendës.
BRUNILD PEPA – Pepa konsiderohet si goditja më cilësore që ka bërë Lushnja në këtë merkato vere, ndërsa vetë sulmuesi 26-vjeçar shpreh kënaqësinë për rikthimin tek ekipi mëmë. Ai mezi pret kampionatin për të luajtur për ngjyrat e fanellës së zemrës: “Rikthimin e Lushnjës në Superiore e kam përjetuar me shumë emocione dhe kënaqësi. Kur mora ftesën nga drejtuesit e Lushnjës, nuk e diskutova dy herë ofertën, pasi edhe vet kisha vendosur të bëhesha pjesë e saj. Tani kemi hyrë në ritmin e duhur të fazës përgatitore, që stafi teknik po e zhvillon me shumë profesionalizëm për rritjen e parametrave fizikë. Me anë të ndeshjeve miqësore mendoj se do të bëhet edhe konsolidimi i grupit dhe më pas ne do të jemi gati të përmbushim objektivat tanë. Me aq sa po shoh, drejtuesit tanë po bëjnë përpjekjet e duhura për të na krijuar mundësinë e zhvillimit të një fazë përgatitore në kushte sa më optimale. Miqësorja e së mërkurës ndaj Leçes është një fakt, që vërteton se e kemi marrë seriozisht sezonin e ri. Duam të bëjmë një garë sa më dinjitoze. Personalisht, ndihem mirë fizikisht, sepse për ambientim nuk ka nevojë. Mezi pres të fillojë kampionati, sepse kam mall të luaj dhe të arrij rezultate sa më të larta me fanellën e këtij ekipi, ku hodha hapat e parë dhe u formova si futbollist profesionist. Dua t’ju them ultrasve lushnjarë që të presin të qetë fillimin e kampionatit, pasi nuk do t’i zhgënjejmë me lojëra dhe rezultate pozitive”, – theksoi mes të tjerash për “Sport Ekspres” sulmuesi Pepa, një nga titullarët e Lushnjës, me mjaft përvojë në Superiore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *