Milan-Juventus ishte një ndeshje për t’u harruar për kuqezinjtë, sidomos për Gonzalo Higuain. Bardhezinjtë e Alegrit fituan me rezultatin 0-2, me golat e Manxhukiç dhe Kristiano Ronaldos, ndërsa “Pipita” humbi një penallti në fundin e pjesë së parë. Argjentinasi e vuajti shumë një gjë të tillë gjatë gjithë ndeshjes, për të mbërritur në minutën e 83, kur sulmuesi i Milanit u ndëshkua me karton të kuq.
Një karton i verdhë për një ndërhyrje kundër Benatias, që në ishte për ndëshkim. Protesta të Gonzalos me arbitrin që i drejton përpara fytyrës kartonin e dytë të verdhë dhe të kuqin. Një gjë e tillë solli irritimin e madh të Higuain, të cilin nuk e kishim parë kurrë në ato kushte.
U desh ndërhyrja e lojtarëve të dyja ekipeve për të qetësuar sadopak lojtarin e Milanit. Ky i fundit ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke kërkuar ndjesë për gjestin e kryer. Ai ishte emocionalisht i ngarkuar, nga dëshira e madhe për t’i shënuar ish-ekipit të tij dhe nga trishtimi i madh i humbjes së penalltisë.
“Dua t’i kërkoj falje për sjelljen time dje në fushë të gjithë, shokëve të skuadrës, klubit, tifozëve, që nga dje më treguan dhe më shumë dashurinë e tyre. Ne jemi njerëz dhe kemi ndjenja, por unë marr përsipër përgjegjësitë e mia dhe do të bëj çmos për t’u mos përsëritur më kjo situatë. Disa do të më kuptojnë, të tjerë, jo. Edhe njëherë ju kërkoj falje të gjithëve”, thekson shkurtimisht Gonzalo Higuain.