Kundër Riedit, klubit ku u bë i njohur në Austri, Hamdi Salihi e kishte një ndeshje speciale, me emocione të veçanta. Ndoshta kjo i prishi punë, sepse sot Viner Nojshtat u mund 3-0 në fushën e vet nga Ridi dhe Salihi për herë të parë në këtë sezon jo vetëm që nuk ishte ndër më të mirët në fushë, por u bë edhe protagonist negativ, duke humbur një 11-metërsh. Sezonin e shkuar me Skënderbeun humbi disa penallti vendimtare, por këtë sezon në Austri shkodrani ka rilindur dhe ka shënuar edhe nga pika e bardhë, deri më sot.
Riedi shënoi që në minutën e 15-të, por në të 22-tën Salihi fitoi një 11-metërsh që e gjuajti vetë, por portieri kundërshtar grushtoi bukur.
Në pjesën e dytë Riedi shënoi edhe dy herë, duke u shkaktuar disfatën e parë sezonale Nojshtatit, që kryeson ende, por rivalët i janë afruar ndjeshëm.