Nga Klaudio Ndreca
Një ndeshje të mrekullueshme ka bërë Atalanta ndaj Juventusit, por pa arritur që të dalë me pikët e plota. Ekipi nga Bergamo ka qenë dy herë në avantazh dhe rezultati është barazuar nga pika e bardhë. Kristiano Ronaldo nuk mund të falë në momente të tilla, ndërsa zhgënjimi i madh ka qenë në krahun e miqëve.
Kjo pasi ekipi i Gasperinit nuk ka gabuar asgjë në mbrojtje. Vetëm dy prekjet e topit me dorë i kanë kushtuar shumë për të dalë nga fusha e lojës me barazimin 2-2. Pas takimit trajneri i Atalantës ka pasur polemika për rregullat e futbollit në Itali, por jo për vendimet e arbitrit.
“Penallti për Juventusin? Ishin, e qartë. Sidoqoftë, nuk i presim dot krahët lojtarëve tanë, sepse vetëm në Itali këto gabime konsiderohen si penallti. Problemi nuk ka të bëj me ndeshjen sot, por me interpretimin e rregullave. Sot e kishim kundër, nesër mund ta kemi në favorin tonë. Sipas rregullave penalltitë kundër nesh ishin 100%, por nuk ka kuptim, ndodhin vetëm në Itali dhe jo në kampionate të tjera”, u shpreh Gasperini. /Sport Ekspres/