Pelinxhi: Partizani duhet të ketë kontingjent shqiptar!

 

Ish-trajneri i Partizanit: Eliminimin nga Europa League e prisja. Ndikuan ikjet e futbollistëve. Largimet e “gardës së vjetër” janë të gabuara. Ta presim Moxhin…

Për momentin, “garda e vjetër” te Partizani është lënë paksa në hije për të futur një frymë të re në klub. “Demat” po provojnë diçka të re dhe shumë mirë bëjnë. E mira është të lëvizësh, sigurisht dikujt mund t’i pëlqejë e dikujt jo, normalisht që dikush do të mërzitet, e dikush tjetër do të lumturohet. Asnjë vendim nuk i lë të gjithë të gëzuar, por gjithmonë ndryshimet bëhen për mirë. Këtë kanë menduar edhe drejtuesit e Partizanit kur i kanë lënë çelësat e klubit në dorë të Luçiano Moxhit. Ish-trajneri i “demave”, Marko Pelinxhi, nuk e gjykon akoma punën e italianit, pasi nuk i ka parë asgjë, por mendon se klubi i kuq duhet të qëndrojë besnik i shqiptarëve dhe ta ndërtojë suksesin të varur nga ata.

– Pelinxhi, e mendonit se Partizani do të eliminohej që në turin e parë të Europa Leagues?

– Të them të drejtën për mënyrën si rrodhën ngjarjet edhe e prisja. Humbja e kampionatit në fund, kalendari i ngjeshur dhe aspekti psikologjik jo i duhur ndikuan në ecurinë e skuadrës. Kjo ndikoi edhe në formën fizike të futbollistëve. Nuk e prisja eliminim në një tjetër aspekt, pasi Partizani fitoi eksperiencën vitin e kaluar dhe synimet i ka për të ndërtuar një ekip dhe klub modern. Në kushte të tilla duhej të kualifikohej dhe të vijonte për më tej.

– A ndikoi edhe keqmenaxhimi i skuadrës, pasi u larguan 4 lojtarë që nuk u zëvendësuan?

– Nuk di të them a ishte apo jo keqmenaxhim, por mendoj se largimi i lojtarëve ishte arsyeja kryesore e këtij eliminimi. Ekubani ishte praktikisht sa gjysma e ekipit. Torasa, Cetkoviç dhe Ramadani ishin futbollistë shumë të rëndësishëm.

– Në klub ka nisur një periudhë e re nën emrin e Moxhit, si ju duket kjo zgjedhje?

– Italiani ka eksperiencën dhe përvojën e duhur. Duhet ta lëmë të punoj dhe të shohim çfarë do të bëjë, pastaj mund të gjykojmë. Nuk mund të flasim pa baza apo me hipoteza.

– A kishte kohë që të forconte ekipin për Europa League?

– Kohë kishte, por me sa kam informacion unë, ai mori çelësat pas kësaj aventure dhe tani duhet të shohim se çfarë mund të bëjë.

– Si e gjykoni largimin e Tomorit, apo “anashkalimin” e figurave të rëndësishme te Partizani?

– Të them të drejtën mendoj se Partizani do të arrijë majat nën drejtimin e një kontingjenti shqiptarësh. Nuk besoj se arrihen suksese me njerëz jashtë vendit. E gjykoj të gabuar largimin e Tomorit nga Drejtori i Përgjithshëm. Unë kam pasur përplasjet e mija me të, por mendoj se ka bërë një punë mjaft të mirë aty. “Anashkalimi” i Starovës, Mustës nuk duhej dhe nuk duhet të ndodhë.

– Roli i trajnerit është vakant, kë do të preferonit?

– Nuk e di asgjë se çfarë po ndodh me merkaton, por di të them se dua që në stolin e Partizanit të jetë një trajner shqiptar. Të mos merret nga jashtë. Mendoj se kanë më sukses shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online