Pejiç zhurma e ditës, shkodranët “fluturojnë” kot

Sulmuesi nuk mund të lëvizë, pasi ka luajtur me dy ekipe këtë sezon. Kukësin në Champions dhe Slaven Koprivnican në kampionatin kroat

Gaspër Marku

Me zyrtarizimin e katër blerjeve të reja në merkaton dimërore, me Sukajn fillimisht, për të vijuar me shqiptaro-maqedonasin Berisha dhe së fundmi edhe dyshen Mersini-Malota, u mendua se kuqeblutë e mbyllen merkaton. Realisht goditjet ishin në katër pika kryesore, dhe aty ku vete tekniku Gjoka e kishte gjykuar si më të nevojshme një gjë të tillë, dhe me të drejtë edhe në opinionin sportiv shkodran dhe më gjerë këtë radhë klubin Vllaznia e cilësuan si kampion të merkatos së dimrit. Por, nuk ka përfunduar gjithçka, sepse në klubin kuqblu janë të hapur për të goditur edhe në pika të tjera. Këtë e ka thënë hapur edhe drejtuesi më i lartë i klubit, administratori Astrit Gjyrezi duke lënë të kuptohet se nëse stafi teknik e konsideron të nevojshme për të pasur përsëri ndërhyrje, ato janë të gatshëm t’ia plotësojnë kërkesën trajnerit. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me stafin teknik dhe jemi të predispozuar të plotësojmë nevojat që ato konstatojnë dhe i kërkojnë klubit. Besoj se edhe blerjet që u bënë janë në mbështetje të stafit teknik. Shpresoj që këto djem që u ofruan tek ekipi të japin më të mirën e tyre, është ndërhyrë në ato reparte të domosdoshme që stafi e ka quajtur të tillë dhe ka qenë kërkesë e tyre për këto ndërhyrje. Ne si klub i kemi zbatuar këto kërkesa stafit teknik. Nëse stafi teknik mendon se me këto blerje janë në rregull për pjesën tjetër të sezonit mund ta quajmë të mbyllur merkato, por nëse stafi teknik do ta shohë të domosdoshme se duhen futbollistë të tjerë, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim financiarisht”, – është shprehur administratori Gjyrezi për këtë temë.

LËMSHI I PEJIÇIT – Sulmuesi kroat u pa ditën e djeshme në Shkodër. Sulmuesi u mendua se po bisedonte me shkodranët, por diçka e tillë nuk është e vërtetë, ose së paku mund të kthehet në autogol për Vllazninë. Gjoka e do Pejiçin, nuk ka dyshim, por nuk ka mundësi ta marrë. Lojtari është nën kontratë me ekipin e Slaven Koporivnicës dhe është e vështirë të shkëpusë marrëdhëniet. Kjo është arsyeja dytësore në fakt, pasi kroati është i djegur për pjesën e mbetur të sezonit. Ai ka luajtur me ekipin e Kukësit në Champions League dhe me ekipin kroat në kampionatin e këtij vendi. 35-vjeçari nuk mund të aktivizohet me një ekip tjetër deri në përfundimin e sezonit të ri. Pavarësisht dëshirës së madhe, Pejiç është “molla e ndaluar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *