Nëse mendoni se rregullat janë bërë për t’u thyer, atëherë Gjermania është vendi i gabuar për ju. Thyerja e karantinës nga trajneri i Augsburgut, Heiko Herrlich, i ka kushtuar këtij të fundit pjesëmarrjen në ndeshjen startuese për klubin e tij këtë fundjavë. Një lajm të tillë e ka njoftuar vetë kreu i pankinës, i cili kërkon ndjesë për sjelljen e tij. Por disi qesharake duket arsyeja për të cilën Herrlich ka lënë hotelin e tij. Trajneri gjerman ka shkuar në supermarket për të blerë pastë dhembësh dhe krem për flokët, të cilat në fund i kanë mohuar atij qendrimin në stol për ndeshjen e radhës.
“Për shkak të një sjelljeje të gabuar nuk do të drejtoj stërvitjen e nesërme fhe nuk do të jem në krye të skuadrës kundër Wolfsburgut të dielën. Bëra gabim që lashë hotelin. Edhe pse kam ndjekur të gjitha masat e higjenës si në momentin kur kam dalë nga hoteli ashtu edhe në momentin kur u ktheva sërish në të, unë nuk mund ta kthej mbrapsht këtë veprim. Në një situatë të tillë nuk u tregova një shembull për skuadrën dhe publikun”, ka thënë trajneri i Augsburgut, Heiko Herrlich./Halit Delibashi-Sport Ekspres/