Kohët e fundit te Kukësi dëgjohen vetëm lajme largimesh. Thuajse një ekip titullarësh i ka dhënë lamumirën verilindorëve, dnërsa këtij eksodi duket se do i bashkohen edhe drejtues. Nënkampionët e Shqipërisë kanë humbur edhe drejtorin sportiv, Nderim Nexhipi.
Largimin e tij nga posti drejtues e vërteton në një farë mënyre mbledhja e sotme e Ligës Profesioniste të Futbollit. Këta të fundit kanë organizuar një takim me fillim nga ora 11:00 në ambientet e stadiumit “Air Albania“, por në të nuk ka mbërritur Nexhipi, si përfaqësuesi i përhershëm i Kukësit në të tilla takime.
Vendin e ish-futbollistit e ka zënë juristi i klubit, Arsen Selmanaj, i cili ka përfaqësuar kështu Kukësin ditën e sotme. Në vijim pritet të merret edhe një konfirmim zyrtar nga ana e klubit verilindor për largimin e Nderim Nexhipit. Mbetet për t’u parë nëse largimet e tepërta kanë bërë drejtorin sportiv përgjegjës nga ana e Kukësit, apo ka qenë vetë Nexhipi që ka ndjerë barrën e eksodit të lojtarëve dhe ka dhënë dorëheqjen./Halit Delibashi-Sport Ekspres/