Agustin Torasa ka bërë pushime të tejzgjatuara këtë verë, pas largimit nga Partizani, por ashtu si kishte paralajmëruar, do ta vazhdojë në Argjentinë karrierën.
Sulmuesi 28-vjeçar ka firmosur për klubin Mitre në Santiago del Estero, që sapo është ngjitur në Primera B Nacional, që është divizioni i dytë në Argjentinë.
Torasa e ka nisur karrierën tek All Boys, ndërsa më pas ka luajtur te Red Bull Salcburg në Austri, Çakarita, Tigre e Huracán, para se të vinte te Partizani, ku në dy sezone ishte një lojtar mjaft i rëndësishëm, edhe pse shpesh kritikohej për faktin se shënonte shumë pak, për të qenë një sulmues. Gjithsesi, aftësia e tij për të lëvizur mes mesfushës e sulmit dhe ndihma që i jepte skuadrës me presingun dhe lëvizjen e shumtë e bënin një lojtar me rëndësi, që Partizanit do t’i vlente shumë këtë verë në Europa League.