Pas Juventusit prokuroria mbërrin në zyrat e Napolit, të kaltrit duhet të japin llogari për transferimin e Osimhenit

Juventusi u përball me një dënim të hidhur nga Gjykata Federale e Apelit, duke iu zbritur 15 pikë në tabelën e renditjes. Mospërputhjet me shifrat e transferimeve fundosën bardhezinjtë, që duket se nuk janë të vetmit që kanë mashtruar në lidhje me shumat e deklaruara të shitjeve dhe blerjeve në merkato.

Pas Juventusit, tashmë prokuroria mbërrin në zyrat e Napolit. Klubit që momentalisht udhëheq Serinë A dhe është më shumë se kurrë pranë titullit kampion i është kërkuar të dorëzojë të dhënat e 6 mujorit të fundit të financave. Hetimi për të kaltrit nisi që në kohën e ndryshimit të pronarëve të Lille-s. Presidenca e re e klubit francez vuri re mospërputhje të financave të deklaruara, duke njoftuar drejtësinë e Francës.

Çështja që ka ngritur më tepër dyshime është ajo e transferimit të Osimhenit nga Lille në Napoli. Italianët paguan 71.246 milionë euro për kartonin e tij plus 10 milionë të tjera bonus, me të drejtë pagese për 5 vite. Gjithashtu, 4 lojtarë të Napolit përfunduan te Lille. Karnezis (4.8 milionë euro), Palmieri (7 milionë euro), Manzi (4 milionë euro) dhe Liguori (4 milionë euro). Por ai që çudit më shumë është fakti se Karnezis ka bërë vetëm 3 paraqitje në dy vite me klubin francez dhe dha dorëheqjen nga futbolli në qershor. Ndërsa te lojtarët e tjerë nuk kanë shkelur në fushë me fanellën e Lille-s për asnjë minutë të vetme dhe tashmë vazhdojnë karrierën në nivele inferiore të futbollit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *