“Pas golit të Salah mendova për një mbrëmje të keqe”, Gasperini: Nuk kam fituar kupa, por kjo është medalja ime

Tifozët kanë përjetuar një nga momentet më historike të Atalantës. Megjithëse humbën minimalisht 0-1 nga Liverpuli, bergamaskët kanë siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale të Ligës së Europës. Kjo për shkak të fitores 3-0 në Angli një javë më parë. Gasperini ka thënë për mediat pas ndeshjes se në mungesë të trofeve të fituar, ky eliminim i Liverpulit është medalja e karrierës së tij. Trajneri i Atalantës është treguar i sinqertë përpara gazetarëve, teksa ka zbuluar se pas golit të shënuar nga Salah, mendoi se përpara e priste një mbrëmje e keqe. Por lojtarët e tij nuk u dorëzuan dhe në fund ia dolën të eliminonin një klub legjendar si Liverpuli.

“Eliminuam një ekip dhe një trajner të madh me dy ndeshje në të cilat dhamë gjithçka. Sot dhamë zemrën në fushë dhe publiku na ndihmoi. Pas golit të Salahut mendova se mund të ishte një mbrëmje e keqe, por përkundrazi, ne ndërtuam një ndeshje fantastike nga ajo penallti. Me pak më shumë qartësi edhe mund të kishim shënuar. Nuk e di nëse kjo është kryevepra e karrierës sime. Nuk kam fituar ndonjë kupë, pork jo është një medalje e këndshme. Në pushimin pas pjesës së parë i pyeta djemtë nëse donin ta ulnin pak ritmin dhe të ruanin rezultatin, por ata preferuan që të vazhdonin po njësoj”, ka deklaruar Xhan Piero Gasperini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/