Partizani i Beogradit ka një hall të madh: tifozeria ultras i ka hapur shumë telashe në të shkuarën, duke çuar në gjoba pa fund, pezullim fushe dhe deri në përjashtim nga kupat e Europës. Edhe ndeshja e vajtjes kundër Videotonit, javën e shkuar, u luajt pa tifozë, për shkak të sjelljes së grupimit Grobari gjatë ndeshjes paraardhëse, kundër Buduçnostit malazez.
Tani shorti vë përballë Partizanin me Skënderbeun dhe ky short është siklet i madh për klubin serb, aq sa drejtori sportiv Ivica Iliev nga Nioni, sapo u hodh shorti, lëshoi një apel në mediat serbe: “Shpresoj që tifozët tanë të kenë nxjerrë mësime nga ndeshja kundër Buduçnostit dhe që gjithçka të shkojë mirë kundër Skënderbeut. Shorti? Dinamo favorit i madh, por nuk është çudi, kushdo që të kualifikohet”.
Grupimi famëkeq Grobari është kthyer në një makth për klubin, sepse Partizani nuk e ka forcën ta kontrollojë dhe as shteti serb nuk merr masa të ashpra, për shumë arsye.