NAFTETARI – PARTIZANI 2-6
Shënues: Nallbati 12′, Xh.Kajo 83′ / Xhixhiua 19′, 80′, Malota 44′ Çani 61′, Herrera 64′, Batha 89′
Naftëtari: Koçi, K.Pepa, E.Kajo, Xh.Kajo, Hyseni, Behari, Cake, Nallbati, Llojku (A.Pepa 77′), Koroveshi (Gjyla 66′), Allkanjari (Gorovelli 54′)
Trajner: B. Fraholli.
Partizani: Xhika, Ibrahimi, Krasniqi, Fejzullahu (Malota 17′), Kalari, Batha, La Kamera (Shahinas 70′), Adorjan (Çani 57′), Xhixhiua, Bardhi, Herrera.
Trajner: M. Iuliano.
Gjyqtarë: K. Shahini, F. Lame, A. Vila
Delegat: A.Kaja
Vëzhgues: A.Lulaj
Kartonë të verdhë: Xh.Kajo 49′ / Xhixhua 79′
Edi Spahiu
Partizani triumfon në Kuçovë me një fitore tenistike 6-2. Përballë kuçovareve, që sapo janë kthyer në Kategorinë e Parë, skuadra e kuqe tregoi superioritetin e saj,ku pas humbjes me Laçin jep sinjale pozitive për të ardhmen. Të kuqtë e filluan me theks sulmues ndeshjen, ku në minutën e dhjetë Kalari godet traversën, por pas dy minutave miqtë befasohen, pasi Allkanjari pason te Nallbati që përballë Xhikës shënon, duke entuziazmuar të pranishmit e shumtë. U duk se kjo ndeshje për Partizanin do ishte vazhdimi i asaj me Laçin, por skuadra e kuqe ka reaguar fuqishëm. Pas 7 minutave Partizani barazon, ku Bardhi vepron bukur ne zonë dhe pason për Xhixhiua i cili shënon. Të kuqtë çlirohen plotësisht dhe krijojnë raste të shumta. Xhixhiua shfaqet shumë i rrezikshëm në krahun e djathtë dhe është problematik për mbrojtjen e Naftëtarit. Rastet e Partizanit janë të shumta, por portieri Lorenc Koçi mohon gola të sigurt. Naftëtari mundohet të godasë me kundërsulm dhe në minutën e 39-të Allkanjari shmang pothuaj të gjithë mbrojtjen e Partizanit, por shokët e skuadrës nuk e ndjekin aksionin. Një minutë para fundit të pjesës së parë Malota shënon golin e dytë, pas një goditjeje këndi dhe aty mbaron rezistenca vendase.
DEBUTON ÇANI – Pjesa e dytë është më e hapur dhe Partizani tregohet plotësisht si një ekip elite.R itmi është i lartë për të kuqtë, ndërsa vendasit e kanë tepër të vështirë për të përballuar presionin, edhe për faktin se fizikisht nuk janë ende në formën e duhur. Tekniku Julano hedh në fushë përforcimin më të shtrenjtë, Edgar Çanin, i cili debuton me gol. La Kamera shërben bukur nga goditja e këndit për Çanin, i cili pas një gjuajtjeje fluturimthi brenda zonës shënon golin e tretë të takimit. Futja e Çanit i jep më shumë gjallëri sulmit, ku do të ketë dhe gola të tjerë. Pas 3 minutash shënon Herrera, pas një pasimi të Çanit. Edhe minutat e fundit janë të shpejta, ku Partizani duket i pangopur. Xhixhiua shënon golin e dytë personal dhe të pestin për ekipin. Kuçovarët shkurtojnë distancën pas një goditjeje të bukur të Xhafer Kajos nga një distancë e largët. Një minutë para përfundimit Idriz Batha nga pika e bardhë (penallti e fituar nga Çani) kompleton fitoren e të kuqve,të cilët e shikojnë veten që në ndeshjen e parë të kualifikuar për në raundin tjetër. Ndërkaq, kuçovarët dhanë rezultate pozitive pavarësisht humbjes, ku në disa momente ata u përballën si të barabartë me Partizanin.