Vijojnë prezantimet te Partizani, që po tenton të kompletohet para rifillimit të kampionatit dhe të largojë pikëpyetjet në lidhje me pjesën e mbetur të sezonit.
Kështu, pasi prezantoi qendërmbrojtësin kroat Renato Gojkoviç, Partizani ka prezantuar edhe dy afrime të tjera, që në fakt ishin bërë prej ditësh.
Nga Vllaznia vjen mbrojtësi 19-vjeçar Senad Hysenaj, i cili ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, ndërsa pret të debutojë në Superiore, sepse te Vllaznia luante me ekipin B në Kategorinë e Parë.
Ndërkaq, është prezantuar edhe Emran Ramadani. 25-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e Renovës, ka nënshkruar për 2 vite e gjysmë me Partizanin. Ramadani luan më së shumti në krahun e djathtë të mesfushës, por mund të aktivizohet dhe si sulmues krahu. Më herët 25-vjeçari ka qenë pjesë e Shkëndijës, por dhe e Hajduk Kulas në Serbi. Për të do të jetë eksperienca e parë në Shqipëri.