Partizani do të bëjë pak ditë pushim dhe në rifillimin e stërvitjeve me grupin pritet të bashkohet edhe një mesfushor brazilian. Bëhet fjalë për Uarlej Glejson Dos Santos Alvesh, emri sportiv Uarlej. Braziliani është 24 vjeç dhe ka qenë pjesë e Brazilit U-17 shumë vite më parë, por karriera e tij nuk është se ka pasur ngritje. Mesfushor qendror teknik, me një të djathtë të saktë, Uarlej është endur në kampionatet krahinorë dhe në Serinë D braziliane, pa mundur të shkojë më lart. Në vitin 2015 luajti 3 ndeshje me Novo Hamburgo në kampionatin krahinor Gauço, ndërsa po atë vit edhe dy ndeshje me Santos AP, në Serinë D. Në vitin 2016 e nisi me Botafogo PB, por nuk luajti fare, ndërsa më pas luajti 3 ndeshje me Madureiran në Serinë D dhe një ndeshje në kampionatin krahinor Karioka. Kaq: 514 minuta në dy vitet e shkuar, asnjë ndeshje në vitin 2017, të paktën jo si futbollist profesionist. Kush e sjell dhe a do të vijë për të firmosur, apo në provë? Këtë e di Partizani, sepse klubi nuk ofron informacion as për afrimet zyrtare që janë në skuadër, jo më për ata që do të vijnë.