Renato Gojkoviç u largua nga Partizani pa përfunduar pjesa e parë e sezonit, ndërkohë që trajneri Skënder Gega pat deklaruar se kishte nevojë për një tjetër qendërmbrojtës. Drejtuesit u vunë në lëvizje dhe tashmë e kanë gjetur lojtarin që duan.
Nga ajo që bëjnë me dije burime pranë klubit të kuq, brenda dy ditëve do të mbyllet gjithçka me Lum Rexhepin. Akordi është arritur dhe 26-vjeçari pritet të bashkohet me grupin. Sigurisht duhet hedhur edhe e zeza mbi të bardhë.
Rexhepi ka luajtur me moshat e Finlandës dhe ka provuar të luajë më pas edhe me Kosovën. Sezonin e fundit ka qenë pjesë e Kups në Finlandë. Në të shkuarën ka luajtur edhe për Honka, Helsinki dhe Pallohonka. Gjithashtu qendërmbrojtësi është aktivizuar në Holandë me Go Ahead Eagles dhe në Norvegji me Lillestrom.
KRAHU I DJATHTË – Gega aktualisht ka në dispozicion vetëm Labinot Ibrahimin pwr linjën e djathtë të prapavijës. Gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumtë lojtarët që u janë propozuar të kuqve.
Jetmir Krasniqi është emri i atij që i është propozuar të kuqve. Mbrojtësi 29-vjeçar, i cili është pjesë e Kosovës, nuk po gjen hapësira te Lugano në Zvicër dhe është në interesin e tij të ndryshojë skuadër.
Partizani po mbledh informacion në lidhje me Krasniqin, i cili këtë sezon nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare. Vjet luajtur tetë ndeshje, kurse në të shkuarën ka pasur minuta më Kiaso, Le Mont dhe Lozanën në Challenge League.
Afrimi i këtyre dy lojtarëve do plotësonte prapavijën dhe trajneri Gega do të priste nga drejtuesit vetëm një sulmues qendror, për ta pasur kështu ekipi të plotë para nisjes së pjesës së dytë të sezonit.